Lufta në Ukrainë ka arritur ditën e 121-të, ndërsa në zhvillimet e fundit raportohet se forcat ukrainase janë urdhëruar të tërhiqen nga qyteti strategjik Severodonetsk në rajonin Lugansk.

Ndërkohë në krahun tjetër, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka ngritur tonin duke akuzuar BE-në dhe NATO-n se njëjtë si Hitleri në Luftën e Dytë Botërore po përgatisin një sulm ushtarak ndaj Rusisë.

“BE dhe NATO po krijojnë një koalicion për të bërë një luftë kundër Rusisë”, tha Lavrov.

Më tej ai shtoi se edhe Adolf Hitleri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore mblodhi një numër të konsiderueshëm të vendeve evropiane nën flamurin e tij për një luftë kundër Bashkimit Sovjetik.

“Ne do të vëzhgojmë nga afër situatën”, shtoi Lavrov, duke folur në një konferencë shtypi në Baku pas takimit me ministrin e jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov.

Edhe ish-Presidenti rus Dimitry Medvedev ka sulmuar Perëndimin, në veçanti Gjermaninë.

“Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock tha se Rusia po përdor urinë si armë. Është padyshim befasuese të dëgjosh këtë nga zyrtarë, vendi i të cilëve e ka mbajtur Leningradin nën rrethim për 900 ditë, ku gati 700,000 njerëz kanë vdekur nga uria”, u përgjigj në Telegram Medvedev, tashmë në postin e zëvendës sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb