Presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur se Azerbajxhani dhe Armenia kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit në rajonin e Malësisë së Karabakut.

Në një adresim televiziv, Putin tha se Azerbajxhani dhe Armenia sipas marrëveshjes do të qëndrojnë në pozicionet që kontrollojnë.

Putin po ashtu tha se paqeruajtësit rusë do të vendosen në vijën e kontaktit në Malësinë e Karabakut dhe në korridorin ku Karabaku lidhet me Armeninë.

Të zhvendosurit dhe refugjatët do të kthehen në Malësinë e Karabakut dhe në rajonet përreth nën kontrollin e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët.

Presidenti rus theksoi se kontrolli dhe komunikimi do të sigurohet nga Shërbimi Rrugor i Sigurisë së Kufirit.

Sipas tij, marrëveshje do të krijojë kushtet e nevojshme për një zgjidhje afatgjate dhe gjithëpërfshirëse të krizës së Malësisë së Karabakut mbi një bazë të drejtë në përputhje me interesat e popullit armen dhe atij azerbajxhanas.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike mbi Malësinë e Karabakut kanë mbetur të tensionuara që nga viti 1991, por përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator.

Që atëherë, Armenia ka sulmuar në vazhdimësi civilët dhe forcat azerbajxhanse, madje duke shkelur tre marrëveshje humanitare të armëpushimit.

Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit për gati tre dekada ka qenë nën pushtim të paligjshëm të Armenisë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb