Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë thirrje të hënën për masa të menjëhershme për ta mbështetur rublën, valutën e dobësuar ruse, teksa vendi po përballet me rritje të inflacionit. Sa i përket zhvlerësimit të valutës, Putin ka thënë se “është e nevojshme të kuptohet qartë çfarë po e shkakton atë dhe të merren vendime të duhura, pa vonesa”. Lideri rus i ka bërë këto komente në një takim qeveritar për buxhetin shtetëror, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax. Rritja e shkallës së interesit është një prej mënyrave për forcim të valutës së një vendi edhe për ulje të ritmit të inflacionit.

Banka Qendrore e Rusisë veçse e ka rritur normën e interesit në 13 për qind. “Jam i sigurt që Banka Qendore po punon me profesionalizëm dhe – çfarë është e rëndësishme – në mënyrë të koordinuar”. Ministria e Ekonomisë ka thënë se parashikimet për inflacionin këtë vit shkojnë në 7.5 për qind.

Sipas ekspertëve, Zyra ruse e Statistikave e ka ndryshuar mënyrën e kalkulimit të të dhënave më 2023, në krahasim me vitin 2022, në mënyrë që shifrat përfundimtare të jenë më të vogla. Pavarësisht rritjes së inflacionit, Putini ka thënë se është i kënaqur me gjendjen e ekonomisë. “Ne i kemi mbijetuar një presioni të pashembullt prej jashtë, presion me sanksione nga disa elita në bllokun e ashtuquajtur perëndimor”, ka thënë ai.

Sanksionet e Perëndimit janë rezultat i nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë. Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb