Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, SHBA-ja ka dërguar disa sisteme raketore të avancuara për t’i bërë ballë forcave ruse.

Ministria ruse e mbrojtjes ka pretenduar se forcat e saj kanë shkatërruar dy raketa lëshuese të Sistemit të Raketave të Artilerisë së Lëvizshmërisë së Lartë (HIMARS) të prodhuar nga SHBA në rajonin e sulmuar Donbas në Ukrainën lindore.

Ministria tha të mërkurën se forcat ruse shkatërruan gjithashtu dy depo municionesh që ruanin raketa për HIMARS-in pranë vijës së frontit në një fshat në jug të Kramatorskut në rajonin Donetskut në Ukrainë, i cili u shndërrua në fokusin kryesor të ofensivës ushtarake të Moskës pas kapjes së rajonit të Luhanskut gjatë fundjavës.

“Afër fshatit Malotaranovi në Republikën Popullore të Donetskut, dy raketë lëshuese të shumëfishta HIMARS të prodhuar nga SHBA dhe dy depo municionesh të lidhura u shkatërruan nga raketa me precizion të lartë të lëshuar nga ajri”, tha zëdhënësi i ministrisë ruse të mbrojtjes, Igor Konashenkov.

Konashenkov tha gjithashtu se një stacion radar për një sistem të mbrojtjes ajrore S-300 të operuar nga Ukraina, së bashku me një kamp që strehonte “njësi mercenare të huaj” u shkatërruan në zonën Limany në rajonin e Mykolaiv.

Nga ana tjetër, shtabi i përgjithshëm i Ukrainës hodhi poshtë pretendimin e Rusisë. Në një postim në Twitter, thanë se pretendimet ishin “të rreme” dhe se Ukraina po përdor HIMARS-in e furnizuar nga SHBA-ja për të shkaktuar “goditje shkatërruese” ndaj forcave ruse.

Ukraina kishte marrë vetëm katër sisteme HIMARS nga SHBA-ja që nga fillimi i korrikut, tha në një raport Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Uashingtoni ishte zotuar të dorëzonte tetë sisteme raketore deri në mes të korrikut.

Furnizimet me armë nga Perëndimi kanë qenë thelbësore për përpjekjet e Kiev-it, për të shtyrë dhjetëra mijëra trupa ruse që Moska dërgoi në Ukrainë më 24 shkurt në atë që ajo e quan “operacion ushtarak special”.

Njëzet e pesë nga 28 vendet që ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën janë anëtarë të NATO-s, duke përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, të cilat po furnizojnë Kievin me armë të sofistikuara si sistemet e shumta të lëshimit të raketave (MLRS), shkruan Aljazeera.

Ndihma ushtarake e dërguar në Ukrainë përfshin gjithashtu armë konvencionale, si dhe pajisje dhe armatime më të avancuara.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: