Rusia i ka shprehur ngushëllime Iranit për vrasjen e Qassem Soleimanit, komandantit të forcave elitare Kuds.

“Ne e konsiderojmë vrasjen e Soleimani si rezultat i një sulmi raketor amerikan në periferi të Bagdadit si një hap aventuresk që do të çojë në rritje të tensioneve në të gjithë rajonin. Soleimani ka shërbyer me besnikëri kauzën e mbrojtjes së interesave kombëtare të Iranit. Ne i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta popullit iranian”, tha Ministria ruse e Punëve të Jashtme në një deklaratë.

SHBA dje konfirmoi vrasjen e komandantit Soleimani një sulm me dron në Irak.

Udhëheqja e Iranit u zotua të hakmerrej për vrasjen e Soleimanit, ndërkaq lideri suprem i vendit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se një “hakmarrje e hidhur” i pret autorët.

Soleimani prej disa kohësh ishte komandant i Forcave Kuds, i cili ishte përfshirë në listën e grupeve terroriste nga SHBA që nga viti 2007. Grupi vlerësohet të ketë 20 mijë anëtarë.

Menjëherë pas raportimit për vrasjen e udhëheqësit ushtarak, Trump postoi flamurin e SHBA-ve në twitter pa asnjë koment.

Pentagoni akuzoi Soleimanin se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe stafit të SHBA-së në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra anëtarëve të stafit amerikan dhe të koalicionit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb