Autoritetet ushtarake të Ukrainës, kanë thënë se ka bombardime të vazhdueshme në Lindje të vendit, më konkretisht në rajonin e Donbasit.

“Ne e ndiejmë qartë se transferimi i teknologjisë [ushtarake] në drejtimin tonë po fillon tani,” tha Serhiy Haidai, kreu i administratës ushtarake të rajonit Luhansk, në komentet televizive.

“Dhe ndërsa pajisjet dhe personeli po kthehen, armiqtë tanë thjesht po qëllojnë më dendur dhe më fuqishëm. Gjithçka është përfshirë tashmë këtu: avionë, artileri, armë të kalibrit të rëndë, mortaja — të gjitha vendbanimet po granatohen,” tha ai.

Më tej, Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës ushtarake të rajonit Donetsk, tha në Telegram se forcat ruse gjatë natës vazhduan granatimet në pjesën qendrore
të rajonit.

“Në Maryinka, Krasnohorivka dhe Novomykhailivka, armiku përsëri përdori predha fosfori të bardhë,” tha ai, duke iu referuar municioneve që janë ose të ndaluara ose të kufizuara sipas ligjit ndërkombëtar në zonat e populluara.

Njëmbëdhjetë civilë të plagosur nga komuniteti Maryinka, përfshirë katër fëmijë, u dërguan në spitalin e qytetit Kurakhiv.
Evakuimi

Zyrtarët ukrainas dhe rusë njoftuan se një evakuim i madh ishte planifikuar të enjten nga qyteti i rrethuar i Mariupol, në juglindje të Ukrainës.
Haidai, administratori rajonal i Luhansk, tha se përpjekjet ishin duke u zhvilluar për të evakuuar civilët nga qytetet e vogla në rajonin e tij, edhe pa marrëveshje të tilla me palën ruse.

“Evakuimi ynë po vazhdon çdo ditë pa të ashtuquajturat korridore humanitare”, tha ai. “Ne nuk u besojmë shumë orkëve [një term nënçmues ukrainas për trupat ruse] dhe së dyti, ata nuk janë vërtet dakord me ato korridore. Do të ishte shumë e rëndësishme për ne që të evakuonim njerëzit nga Rubizhne dhe Popasna — vendbanimet që janë nën zjarrin maksimal.

“Ka përleshje pikërisht në qytete. Dhe nga ato qytete është e pamundur të evakuohen njerëzit dhe madje të ofrohet ndihma humanitare, pasi granatimet e tilla të dendura po ndodhin atje.”
Haidai shtoi: “Kështu që ne punojmë si zakonisht, autobusët e evakuimit vijnë vazhdimisht nga Kreminna, nga Lysychansk, nga Severodonetsk, pjesërisht nga Rubizhne, nga territori i kontrolluar nga mbrojtësit tanë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb