Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara u takua në një seancë urgjente të hënën vonë pasi presidenti rus nënshkroi një deklaratë për njohjen e dy rajoneve separatiste të Ukrainës, si shtete të pavarura.

“Kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës kanë qenë dhe do të mbeten të pandryshueshëm, pavarësisht nga çdo deklaratë dhe veprim nga Federata Ruse”, tha ambasadori i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya.

“Ne kërkojmë nga Rusia të anulojë vendimin për njohjen dhe të kthehet në tryezën e negociatave”, tha ai. “Ne dënojmë urdhrin për të vendosur trupa shtesë pushtuese ruse në territoret e Ukrainës. Ne kërkojmë tërheqje të menjëhershme dhe të plotë, të verifikueshme të trupave pushtuese”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Britania, kanë njoftuar se po vendosin një raund të parë sanksionesh ndaj Moskës për këtë veprim, i cili shkel normat dhe ligjin ndërkombëtar dhe sovranitetin e Ukrainës. Në Këshillin e Sigurimit, ata rikonfirmuan angazhimin e tyre ndaj sovranitetit të Ukrainës.

“Në këtë moment, askush nuk mund të qëndrojë mënjanë”, tha ambasadorja amerikane Linda Thomas-Greenfield. “Ne duhet ta bëjmë të qartë se një sulm ndaj Ukrainës është një sulm ndaj sovranitetit të çdo shteti anëtar të OKB-së dhe Kartës së OKB-së, dhe se do të përballet me pasoja të shpejta dhe të rënda”.

Ajo tha se Uashingtoni vazhdon të besojë se diplomacia është mënyra e vetme për të zgjidhur krizën dhe për të ruajtur paqen.

Udhëheqësit dhe analistët perëndimorë thonë se lëvizjet ruse janë një pretekst për të pushtuar Ukrainën, diçka që Moska e ka mohuar deri më tani duke e cilësuar si “histeri” perëndimore.

Presidenti Putin e pasoi njohjen me një urdhër që, siç i quajti, trupat “paqeruajtëse” të vendosen në dy rajonet separatiste për të mbrojtur civilët. Që nga viti 2014, Moska u ka dhënë nënshtetësinë disa qindra mijëra banorëve me përkatësi etnike ruse në Donetsk dhe Luhansk.

“Ai i quan ata paqeruajtës, kjo është e pakuptimtë”, tha ambasadorja amerikane. “Ne e dimë se çfarë janë ata në të vërtetë”.

Zyrtarët perëndimorë thonë se Moska ka grumbulluar më shumë se 150,000 trupa në kufijtë e Ukrainës.

“Orët dhe ditët e ardhshme do të jenë kritike”, paralajmëroi shefja politike e OKB-së, Rosemary DiCarlo. “Rreziku i konfliktit të madh është real dhe duhet të parandalohet me çdo kusht”.

I dërguari i Rusisë tha se duke dëgjuar anëtarët tjerë të Këshillit të Sigurimit, mund të krijohet përshtypja se vendimi i Moskës ishte i papritur dhe i nxituar.

“Sigurisht, nuk është kështu. Duhet mbajtur mend se DPR dhe LPR shpallën pavarësinë e tyre nga Ukraina në vitin 2014″, tha Vassily Nebenzia, duke përdorur akronimet për Donetskun dhe Luhanskun. “Por, ne i njohëm ato vetëm tani, pavarësisht nga niveli i lartë i mbështetjes si në republikat ashtu edhe në shoqërinë ruse që nga fillimi”.

Ai tha se 60,000 veta janë larguar nga ajo zonë në Rusi diëtve të fundit, duke fajësuar bombardimet e intensifikuara ukrainase. Kievi thotë se nuk po sulmon popullsinë.

Misioni i Posaçëm i Vëzhguesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, regjistroi më shumë se 3,000 shkelje të armëpushimit në rajon nga 18 deri më 20 shkurt, duke përfshirë 926 shpërthime në rajonin e Luhanskut dhe 1,100 shpërthime në Donetsk. Misioni nuk përcaktoi shkakun apo burimin.

“Ne mbetemi të hapur ndaj diplomacisë, për një zgjidhje diplomatike”, tha i dërguari rus Nebenzia, duke nënvizuar se nuk do të lejohet “një gjakderdhjeje e re në Donbas”.

Shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit shprehën mbështetjen e tyre për sovranitetin, tërësinë tokësore dhe pavarësinë politike të Ukrainës, ndërsa bënë thirrje për një zgjidhje diplomatike.

Ambasadorja britanike Barbara Woodward, tha se “i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet”.

I dërguari i Kenias tha se vendi i tij është “shumë i shqetësuar” me njohjen e Donetskut dhe Luhanskut nga Moska. Ai tha se ndërsa pothuajse çdo vend afrikan kishte lindur nga fundi i një perandorie, me kufij artificialë të tërhequr nga fuqitë koloniale, ata i mbajtën ata, sepse ndiqnin Kartën e OKB-së dhe donin paqe.

Ukraina është një ish-republikë e Bashkimit Sovjetik, por fitoi pavarësinë e saj në një referendum në vitin 1991./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb