RUSI

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov sot ishte “befasuar në mënyrë të pakëndshme” pas arrestimit të fundit në Austri të një të dyshuari për spiunazh në favor të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).


“Austria është dashur të informojë zyrtarisht Rusinë për shqetësimin lidhur me kërcënimet ndaj sigurisë së saj kombëtare. Ambasadori austriak në Moskë u ftua në Ministrinë e Jashtme ruse për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje”, ka thënë Lavrov në një konferencë për media në Moskë.

“Për fat të keq, vitet e fundit partnerët tanë perëndimorë i kanë dhënë vetes të drejtën që të na akuzojnë hapur, duke kërkuar publikisht shpjegime për çështjet rreth të cilave nuk dimë asgjë”, tha Lavrov.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz më herët pati deklaruar se autoritetet në vend kanë ngritur hetime rreth aktiviteteve të kolonelit të inteligjencës në pension, i cili i përcillte informata shërbimit inteligjent rus rreth krizës së emigracionit, aviacionit ushtarak austriak dhe sistemit artilerik.

Ministrja e Jashtme austriake, Karin Kneissl për shkak të skandalit të spiunimit anuloi vizitën në Rusi.

(BalkanWeb)

Etiketa: