Rusia tha të dielën se sërish ka përdorur raketat e reja hipersonike në Ukrainë. Sipas zyrtarëve rusë, ata kanë shkatërruar një depo karburantesh në jug të Ukrainës.

“Sistemi i raketave Kinzhal me raketa balistike ka shkatërruar një depo të madhe të karburanteve të Forcave të Armatosura ukrainase pranë vendbanimit Kostinatinivka në rajonin Mikolaiv”, tha Ministria e Mbrojtjes së Rusisë.

Të shtunën, më 19 mars, Rusia për herë të parë e pranoi se ka përdorur raketa hipersonike gjatë një sulmi në perëndim të Ukrainës. Përdorimi i këtyre armëve më vonë u konfirmua edhe nga autoritetet ukrainase.

Ushtria ruse tha të shtunën se sistemi raketor Kinzhal është i aftë që të godas caqe në një distancë prej më shumë se 2,000 kilometrash dhe mund të shmangë sistemet ekzistuese të mbrojtjes ajrore dhe raketore.

Këto lloj raketash fluturojnë shumë lartë në atmosferë me pesë herë shpejtësinë e zërit. Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Në kundërpërgjigje, Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb