Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të nëntë sanksionesh ndaj Rusisë, duke përfshirë shtimin e pothuajse 200 individëve dhe subjekteve shtesë në listën e të sanksionuarve.

Me anë të një postimi në Twitter, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, akuzoi Rusinë për shënjestrimin e qëllimshëm të civilëve dhe infrastrukturës civile dhe se vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë.

“Rusia vazhdon të sjellë vdekje dhe shkatërrim në Ukrainë. Ne qëndrojmë në krah të Ukrainës dhe po e bëjmë Rusinë të paguajë për mizorinë e saj. Tetë paketat ekzistuese të sanksioneve që kemi prezantuar deri më tani janë tashmë duke dhënë efekte të forta. Sot ne po rrisim presionin ndaj Rusisë me një paketë të 9-të”, shkroi Von der Leyen.

Von der Leyen tha se tani BE-ja po synon të sanksionojë “pothuajse 200 persona dhe entitete” dhe t’ua ndalojë atyre pajisjen me viza. Po ashtu, planifikohet ngrirja e aseteve të personave të sanksionuar, përfshirë edhe të zyrtarëve ushtarakë, ministrave dhe kompanive të mbrojtjes.

Në pakon e re, Komisioni ka propozuar sanksionimin të tri bankave, përfshirë Bankën ruse për Zhvillim Rajonal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb