Kremlini ka dhënë indikacionet e tij më të forta se Rusia do të zvogëlojë ambiciet e saj ushtarake në Ukrainë për t’u fokusuar në luftën për kontrollin e lindjes.

Pas humbjeve rreth Kievit dhe përpjekjeve të ngecura për të kapur portet në bregun jugor, Moska tha se do të “përqendrojë përpjekjet tona thelbësore” për të arritur “qëllimin kryesor, çlirimin e Donbasit”.

Kontrolli i plotë i krahinës së kontestuar është identifikuar prej kohësh si kritik për luftën e Rusisë. Megjithatë, Putin ka thënë vazhdimisht se objektivi i tij është heqja e “regjimit pro-nazist në Kiev”. Njoftimi nga ministria e mbrojtjes duket se tregon se Rusia po zvogëlon ambiciet e saj.

Gjeneral-koloneli Sergei Rudskoi, kreu i drejtorisë kryesore operacionale të shtabit të përgjithshëm rus, tha se separatistët e mbështetur nga Rusia tani kontrollojnë 93 për qind të rajonit Luhansk të Ukrainës dhe 54 për qind të rajonit të Donetskut, dy zonat që përbëjnë Donbasin.

“Potenciali luftarak i forcave të armatosura të Ukrainës është ulur ndjeshëm, gjë që . . bën të mundur fokusimin e përpjekjeve tona thelbësore në arritjen e qëllimit kryesor, çlirimin e Donbasit”, tha ai.

Ai shtoi se ushtria ruse kishte shqyrtuar dy opsione në fillim të konfliktit: një operacion kombëtar dhe një të kufizuar në Donbas. “Objektivat kryesore të fazës së parë të operacionit në përgjithësi janë përmbushur,” tha Rudskoi. Rebelët e mbështetur nga Moska deklaruan vetëvendosjen në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014, duke çuar në një luftë të rëndë tetë-vjeçare që u përdor nga Putin në shkurt si pretekst për pushtimin e plotë të Ukrainës. Ai pretendoi pa prova se Ukraina po bënte “gjenocid” kundër rusëve etnikë. Më shumë se 14,000 njerëz janë vrarë në konfliktin lindor. Kremlini e përditësoi numrin e tij të vdekjeve për ushtarët rusë në 1,351, shumë më poshtë vlerësimit të Ukrainës për 15,000 viktima ruse dhe shifrën amerikane prej rreth 7,000.

Deklarata nga Moska erdhi disa orë pasi zyrtarët ukrainas thanë se besonin se rreth 300 njerëz vdiqën në bombardimet ruse të një teatri në Mariupol ku strehoheshin deri në një mijë civilë.

Bombat ruse goditën ndërtesën e Teatrit të Dramës javën e kaluar, pavarësisht se një mbishkrim i madh ku shkruhej “fëmijët” ishte shkruar jashtë për ta bërë atë të dukshëm nga ajri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb