“Nuk kam lidhje me 18 mijë eurot. Oficeri përdori emrin tim”. Kështu ka deklaruar sot prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Ardian Braho, i cili u shoqërua mbrëmë pas video-skandalit ku një oficer gjyqësor merrte 18 mijë euro ryshfet për prokurorin.

Emri i Brahos u përmend disa herë në video, por pavarësisht kësaj, ai ka mohuar plotësisht akuzat, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që e lidh me ngjarjen.

Braho u mor sot në pyetje nga kolegët e Krimeve të Rënda. Ai u pezullua nga detyra me urdhër të Kryeprokurorit Adriatik Llalla menjëherë pas transmetimit të videos ndërsa akuzohet për korrupsion pasiv.

“E kam marrë vendimin e pushimit të çështjes për paratë e bllokuara mbi bazën e provave dhe fakteve që dolën gjatë hetimit”, ka deklaruar më tej prokurori.

Dosja për të cilën bëhet fjalë dhe që kishte të bënte me bllokimin e një llogarie prej 150 mijë eurosh ndiqej pikërisht nga Prokurori Braho.

Pas publikimit të videoskandalit, Prokuroria e Krimeve të rënda firmosi urdhër-arrestin për oficerin e policisë gjyqësore Fatos Lushi. Ndaj dy zyrtarëve të prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimi kryesisht, për “korrupsion pasiv”.

Ndërkohë prokuroria e përgjithshme në deklaratën shpërndarë mediave thekson se nxit çdo medium dhe çdo qytetar që të denoncojë rastet e korrupsionit në drejtësi, duke dhënë në këtë mënyrë ndihmesën për përmirësimin e mëtejshëm të dhënies së drejtësisë në Shqipëri. lidhur me rastin e prokurorit Braho, ka reaguar edhe ministri i drejtësisë Ylli Manjani i cili dënoi ngjarjen dhe kërkoi një hetim të thellë e të plotë nga ana e prokurorisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb