Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë nisi dje gjykimin e dosjes me pesë të pandehur të akuzuar për “korrupsion”, mes të cilëve edhe anëtarja e pezulluar e kësaj gjykate, Majlinda Andrea dhe bashkëshorti i saj, shkruan Panorama.

Gjyqtarja e pandehur nuk u paraqit në sallën e gjyqit, ku para kolegëve të saj përfaqësohej me një avokat. Në mungesë nisi gjykimi edhe për bashkëshortin e saj, Odhise Andrea, për shkak se masa e sigurisë “arrest në burg” dhënë në mungesë ndaj tij nuk është ekzekutuar. Të pandehurit e tjerë në proces, Eleni Lino, Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi, u shoqëruan në seancë nga forcat e policisë, ku e pandehura Eleni u mbajt e veçuar nga dy të tjerët, për shkak të bashkëpunimit që ka pasur me prokurorinë gjatë hetimit. Në seancën e parë të këtij procesi, mbrojtësi i Majlinda Andreas, avokati Theodhori Sollaku, i kërkoi gjykatës të rikthejë në detyrën e gjyqtares të pandehurën.

“Kërkojmë shuarjen e masës së sigurimit personal ‘pezullim nga detyra’ për të mbrojturën prej nesh”, u shpreh mbrojtësi. Në vijim ai kërkoi rrëzimin e provës kryesore të Prokurorisë së Përgjithshme në këtë proces, përgjimet e të pandehurve. Avokati Sollaku i kërkoi Kolegjit Penal të deklarojë pavlefshmëri absolute dhe relative të vendimeve për përgjimin e të pandehurve. “Çështja është regjistruar nga një referim i një oficeri të Policisë Gjyqësore, bazuar në hamendësime. Vënia në përgjim e numrit telefonik të të pandehurit Ilia Çabiri është kryer në kundërshtim me ligjin. Të gjitha aktet që kanë pasuar këtë vendim janë të papërdorshme”, tha avokati. Duke cituar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, avokati shfaqi pretendime edhe në lidhje me shkelje të kompetencës nga ana e Gjykatës për Krimet e Rënda në rastin e ligjërimit të përgjimit të gjyqtares së Gjykatës së Lartë. Në të njëjtën linjë mbrojtjeje ishte edhe avokati Ardian Visha, i cili përfaqësonte interesat e të pandehurit Odhise Andrea në proces. Avokati kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë për klientin e tij, raporton Panorama.

Sipas Vishës, largimi jashtë Shqipërisë i bashkëshortëve Andrea ka qenë i paracaktuar prej tyre dhe se nuk është bërë për të shmangur ekzekutimin e një mase të dhënë në mungesë ndaj tyre. Avokati kërkoi pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të përgjimit fillestar për hetimin e kësaj dosjeje dhe të gjitha akteve të tjera, të rrjedhura pas tij. Në seancën e radhës, e caktuar më 12 dhjetor, Kolegji Penal do të njihet me pretendimet e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me këto kërkesa të mbrojtjes. Andrea është në akuzë bashke me burrin, Odhise Andrea, i cili është në kërkim nga drejtësia, akuzohen se kanë marrë 50 mijë euro për të favorizuar në një çështje pronësie me sipërfaqe prej 40 hektarësh në Sarandë. Sipas dosjes së Prokurorisë, Majlinda Andrea do të përballet në gjykatë me akuzën e “korrupsionit”.

Bashkëshorti i saj, Odhise Andrea, aktualisht në kërkim nga drejtësia, do të gjykohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Të pandehurit e tjerë të dosjes Petraq Dashi, Ilia Çabiri dhe Eleni Lino janë dërguar si të pandehur për “korrupsion”. Sipas hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme, i dyshuari Petraq Dashi ka ndërmjetësuar me bashkëshortin e gjyqtares, Odhise Andrea në lidhje me çështjen në gjykim, ku ishin palë trashëgimtarët Çabiri dhe Lino.

Dyshohet se ai ka rënë dakord për pagesën e një shumë prej 50 mijë euro për të marrë një vendim në favor të tyre. Pasi ka nënshkruar një kontratë fiktive për huazimin e një shumë prej 50 mijë euro, Dashi i dorëzon një shumë të tillë bashkëshortit të gjyqtares në një lokal në Tiranë. Te nesërmen, në 12 korrik gjykata vendosi në favor të Çabirit dhe Linos. Hetimi ka nxjerrë në mënyrë indirekte gjyqtaren e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, përmes survejimit të veprimeve të bashkëshortit të saj.

(Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb