Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore është mbyllur me një frymë pozitive konsensusi, siç u shpreh dhe një nga kryetarët e tij, përfaqësuesi i maxhorancës Damian Gjiknuri.

Ai tha se ky është i vetmi komision që jemi të detyruar të respektojmë njeri-tjetrin dhe të arrihet në një marrëveshje nëse duam zgjidhje.

Ndërkohë deputeti Fatmir Mediu propozoi një minutazh prej 3 minutash për secilin deputet për çështjes të caktuara, propozim ky që pati konsensusin e të gjithëve. Ndërkohë që u zgjodhën dhe dy sekretarët e tij, Klevis Xhoxhi nga PS dhe Dashnor Sula nga PD.

Një tjetër vendim, ishe ai i përfaqësimit të çdo grupi të pranishëm në komision me një ekspert, në total 8, përfshirë 2 ekspertë teknikë.
Mediu: Unë mendoj që duhet të marrim një vendim të përbashkët për ta bërë sa më efektive punën e këtij komisioni për të zbatuar disa rregulla dhe rregulli i parë duhet të jetë një minutazh i përcaktuar për gjithsecilin me të drejtën e një replike. Sado mendime të kemi, më shumë se 3 minuta shkon shumë, nuk është më thelb dhe esencë në raport me ligjin. Ta vendosim këtë rregull, përndryshe do bëjmë diskutime…
(Ndërhyn Bylykbashi)
Mediu: Jo? Mirë mo mirë, funksionon apo jo kjo është çështjes tjetër o Oerd, por unë nuk mendoj, për një çështje jo më shumë se 3 minuta. Nuk jemi i vetmi parlament që racionalizojnë kohën. 3 minuta mendoj se është i mjaftueshëm.

Gjiknuri: E përshëndes ndërhyrjen tuaj, do ta quaja me vend, por le të jetë një rregull që ne duhet ta caktojmë, që për çështje të caktuara të mos jetë më shumë se 3 minuta. E marr vesh që pjesa më e keqe e kësaj gjëje vjen…mbase do të shkoja në një propozim radikal ngaqë kemi gjithmonë mediat, sa herë ka media të pranishme debatet bëhen të pafundme, kur ikin mediat eksperienca ime në komisionet zgjedhore kështu ka qenë, debatet kanë qenë shumë më produktive dhe drejt arritjes së rezultatit.

Me këtë nuk dua të shkoj drejt propozimit radikal që të mos i kemi mediat prezent, por megjithatë do të thosha thjesht si po na dëgjojnë tifozët tanë, por të fokusohemi tek argumenti kryesor për të nxjerrë produkt. Duhet të kuptojmë një gjë, e kam për mirëkuptim këtë, ky komision është i vetmi komision parlamentar dhe nuk ka asnjë të jetë i tillë që është shumë i thjeshtë të bllokohet, sepse nuk ka vota, nuk ka maxhorancë. Ky është i vetmi komision që jemi të detyruar të respektojmë njeri-tjetrin dhe të gjejmë marrëveshje nëse duam zgjidhje, në të kundërt kodi do të rrijë siç është. Shqipëria do të vazhdojë të bëjë zgjedhje më këtë kod, se kodi i ka të gjitha rregullat demokratike dhe reflekton shumë nga parimet që kanë vendet demokratike. Prandaj është në të mirën tonë maxhorancë-opozitë të gjejmë mirëkuptim. Nuk dikton dot njeri as me vota as imponohet dot. Le ta mbajmë këtë frymë të mirë, qe një fillim i mbarë. Do të uroja që me këtë frymë të vazhdohet dhe në mbledhjet e tjera.

Komisioni miratoi në parim dërgimin e njoftimeve për t’iu kërkuar asistencë të gjithë organizmave të cituara në vendimin e Kuvendit dhe ftesë OJQ-ve për të dhënë mendimet e tyre paraprake me shkrim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb