Në kursin e Bashkimeve Profesionale ra tërmet. U drithëruan të gjithë kur mbërriti instruktori i Komitetit të Partisë, për një problem të rëndë moral. U ndërprenë mësimet dhe u mblodhën të gjithë në sallën e mensës. Sekretari i organizatës së partisë në kurs, bëri një hyrje të gjatë dhe lexoi pjesë nga veprat e Enver Hoxhës për “vlerat e larta të moralit komunist dhe për rrezikun e degjenerimit borgjezo-revizionist”. Ai theksoi, duke ngritur zërin, se: “Partia kërkon ta mbajmë gjithmonë lart vigjilencën revolucionare edhe kundër armikut të brendshëm.

Askush nuk guxonte të shikonte anash sepse, shumica e tyre kishin lidhur miqësi të fshehta me shoqet e kursit dhe fshiheshin mbrëmjeve pas pishave. Askush nuk e dinte se kujt i kishte “kënduar laraska” te dritarja. Kishte rënë heshtja. Sytë e instruktorit dukeshin si sy ciklopi pas xhamave të syzeve optike dhe të futnin tmerrin.

– Do vazhdoni shoku instruktor? – e pyeti sekretari.

– Patjetër! – tha ai. – Partia u dha dorën e saj të ngrohtë. Përgjithësisht keni ditur ta vlerësoni dhe partia ju falënderon, por njëri nga ju…! Kush është Sami Lumi?

Samiu u çua në këmbë, si t’i kishin ngulur një thikë, ndërsa të tjerët deshën të qetësoheshin.

– E shikoni Sami Lumin! – vazhdoi instruktori. – Ai ka tentuar të përdhunoje vajzën e një familje të respektuar komunisti, në qytetin tonë. Ka njollosur me turp kolektivin tuaj sepse, e keni respektuar si shok. Ka mashtruar organizatën e partisë në bazë, e cila i ka besuar dhe e ka sjell në kurs.

Ka menduar se, pas humbjes së shokut Enver, këtu do bredhin pa brekë, derri me dosën por……shoku Enver na e la Partinë të fortë. Partia jonë po shkatërron gjithë botën borgjezo-revizioniste, po mban lart flamurin ideologjisë së saj marksiste-leniniste. Partia jonë është pozicionuar në vijën e parë të frontit të luftës që zhvillon gjithë proletariati botëror…!

– Reflektoni – tha sekretari – pasi u bind se instruktori kishte mbaruar. – Vlerësojeni situatën dhe jepni mendimet tuaja. Kush e do fjalën?

Nuk po fliste asnjë.

– Çfarë do t’i thuash Partisë, ti Sami Lumi! – foli përsëri sekretari.

– Duhet të bëni autokritikë para kolektivit – tha drejtori.

– Kërko falje! – folën me zë të ulët disa nga shokët e tij.

– Fol! – e ngriti zërin sekretari.

– Unë nuk kam bërë asgjë – tha Samiu.

– Çfarë po thotë? – pyeti instruktori sikur nuk e kishte dëgjuar.

– Kjo është autokritika jote?! – foli ashpër sekretari. – Vetë fakti, se ke shqetësuar edhe udhëheqjen kryesore të Partisë në rreth, do të thotë se ke shkelur rëndë moralin komunist dhe Partia kërkon të japësh llogari.

– Unë as nuk e di dhe as nuk po e kuptoj për çfarë po më akuzoni – tha Samiu.

– Më duket se po tallesh me ne – vazhdoi sekretari.

– Më vjen shumë keq – tha Samiu. – Unë…!

– Mungesa e autokritikës tregon se ke vepruar me ndërgjegje të plotë për të degjeneruar një familje komuniste – tha sekretari.

– Ndoshta ti mendon të fshihesh pas faktit, se Partia duke dashur ta mbrojë familjen, nuk mund ta përmendë emrin e vajzës. E ke gabim. Partia jonë është shumë e fortë. Partia jonë ka eliminuar edhe burra shumë më të mirë se ti. Të gjithë armiqtë kanë thyer kokën kur janë përplasur me murin e hekurt të diktaturës së proletariatit. Ashtu do ta thyesh edhe ti.

– Pse nuk bën autokritikë? – tha drejtori. – Partia e vlerëson shumë sinqeritetin dhe i fal ata që e kuptojnë gabimin.

– Sepse nuk kam bërë asgjë – këmbënguli Samiu.

– Qenke shumë trim por… – tha sekretari, – nuk ka trima kundër Partisë.

– Unë nuk di më shumë – tha Samiu.

– Qëndrimi juaj injorues do ju rëndojë akoma më shumë – tha instruktori duke u ngritur në këmbë. – Ju e njihni shumë mirë vajzën që ju akuzon. Ju i njihni edhe prindërit e vajzës që u janë lutur, ta lini të qetë bijën e tyre. E dini shumë mirë se ata janë familje e ndershme dhe e respektuar këtu në Durrës.

Pse, kërkoni ta përmend emrin e tyre para kolektivit tuaj? Mos ngulni këmbë të mashtroni Partinë dhe kolektivin. Problemi është sa i rëndë, aq edhe delikat. Partia i mbron familjet e ndershme dhe nuk ju lejon të fshiheni pas qëllimit të mirë të saj. Partia është vigjilente dhe i di të gjitha. Flisni!

– Prindërit e asaj vajze më kanë akuzuar kot – tha Samiu.

(Grushti i hekurt i diktaturës së proletariatit…!)

Jo! Ishte grushti i instruktorit që goditi tavolinën.

– A mund të flasin edhe shokët e kolektivit? – pyeti sekretari.

– Patjetër – tha instruktori dhe u ul.

– Atëherë flisni – tha sekretari. – Kush e do fjalën?

– Me lejë! – foli një nga kursantët, e ulur në radhën e parë të karrigeve dhe u çua në këmbë.

– Urdhëro! – tha sekretari. – fol!

– Ne jemi gjithmonë ushtarë besnikë të Partisë tonë të dashur – tha ai.

– Partia është nëna jonë e shtrenjtë, pararoja e klasës tonë punëtore dhe frymëzuese e proletariatit botëror. Partia na paguan rrogën të plotë që të ruhet niveli i lartë ekonomik i familjeve tona. Vlerësimi i madh që na ka bërë partia na ngarkon me detyra dhe përgjegjësi të mëdha, jo vetëm si agjitator të vijës së saj marksiste-leniniste por, edhe si shembull të figurës së pastër morale. Sot po ndjehemi shumë keq.

Po ndjehemi të mashtruar e të ofenduar, që njëri nga anëtarët e kolektivit tonë, ka cenuar nderin e një familje komuniste. Për çudi nuk bën autokritikë dhe të kërkoj mëshirë, por mundohet t’i hedhë hi syve Partisë dhe kolektivit. Unë, si anëtar partie dhe anëtar i këtij kolektivi, ndjehem shumë i indinjuar. Po njolloset nderi dhe dinjiteti i Partisë. Po njolloset morali ynë komunist. Ky njeri i degjeneruar duhet të shporret nga kolektivi ynë.

“Eh! Sa kolektiv i dashur! Sa kolektiv i ngrohtë! Njerëzit e ndjejnë veten shumë mirë në gjirin e kolektivit socialist. Partia dhe kolektivi të duan shumë dhe të shkelin me këmbë. Partia i do gjithmonë shumë bijtë e sajë të dashur”, sillte nëpër mënd Samiu. Asgjë tjetër. As miza nuk guxonte të lëvizte.

– Flisni edhe ju të tjerët – tha sekretari i partisë.

– Të gjithë duhet ta mbështesim propozimin e drejtë të shokut tonë. Partia na mëson, se duhet ta dëgjojmë zërin revolucionarë të kolektivit dhe ta çojmë përpara këtë frymë. Kush e do fjalën?

Të gjithë rrinin me kokë varur.

– Si thoni ju? – iu drejtua instruktori, një tjetër kursanti, që ishte ulur në radhën e parë.

– Unë! – tha kursanti si i zënë në befasi dhe u ngrit në këmbë.

– Flisni hapur – vazhdoi instruktori. – Thojeni mendimin tuaj.

– Edhe unë jam dakord me mendimin e shokëve – vazhdoi kursanti.

– Më thënë të drejtën nuk jam shumë i qartë. Deri tani, unë e kam njohur Sami Lumin, si një nga shokët më të mirë të kursit. Do ishte mirë të na e sqaronte vetë çështjen, që edhe ne të dinim çfarë të flisnim. Qëllimi i Partisë është gjithmonë për ta shpëtuar një njeri dhe jo për ta humbur. Jam i bindur se kolektivi ynë, ka forca për ta shpëtuar Sami Lumin. Pastaj…,ne nuk po e kuptojmë tamam problemin.

– Problemin ta sqaroi Partia – tha sekretari.

– Mos ka ndonjë keqkuptim shoku sekretar! Samiu është vërtetë njeri i mirë dhe e marrim kot në qafë!

– Jeni në rregull ju! – e ngriti zërin instruktori. – Si guxoni të vini në dyshim fjalët e Partisë?!

– Më vjen shumë keq shoku instruktor. Unë…!

– Mjaftë! – bërtiti instruktori. – Mbylleni gojën dhe mos flisni budallallëqe. Më vonë do ta shikojmë edhe qëndrimin tuaj se nuk qenkeni në rregull.

– A ka njeri tjetër për të diskutuar? – pyeti sekretari.

(Kujt ja mbante të diskutonte…!)

– Mesa kuptoj unë – tha drejtori. – Nuk ka më diskutime.

– Atëherë e mbyllim – tha sekretari. – Si thoni ju shoku instruktor?

– Nëse, nuk ka më diskutime, do ta mbyllim.

Sekretari u çua përsëri në këmbë.

– Falënderojmë Komitetin e Partisë, në rreth, që kujdeset për edukimin tonë me normat e moralit të lartë komunist – tha ai. – Nga ana tjetër i kërkojmë falje për shqetësimin që i kemi krijuar. Edhe unë pajtohem me mendimin revolucionar të kolektivit për ta përjashtuar Sami Lumin nga kursi ynë. Më vjen keq që na njollosi sepse, kjo njollë do mbetet gjithmonë një vulë turpi. Nga ana jonë do të kthehet në një mësim të madh për të rritur vigjilencën revolucionare, kundër elementëve të degjeneruar. Me kaq po e mbyllim mbledhjen.

Në pritje të vdekjes!

Ndjehesha tepër i shkatërruar dhe i etur për një pikë ujë por nuk kisha asnjë të drejtë. Isha një i arrestuar. Fillimisht më futën në një dhomë ku më prisnin dy civilë të cilët më morën në pyetje, duke përdorur të gjitha mënyrat që u kishin dhënë rezultate “në punën e tyre fisnike”. Më bënin pyetje dhe më godisnin në bark me grushta. Përkulesha nga dhimbja por tjetri më ngrinte duart e lidhura pas me pranga spanjolle.

Ato pranga kishin veti që, po t’i lëvizje, të shtrëngonin më tepër dhe dhëmbët e tyre metalikë, më nguleshin në mish. Unë bëja të drejtoja trupin dhe përsëri më jepnin një grusht në bark. Nuk mbaj mend sa herë e përsëritën këtë rit por, kujtoj se duart e mia nuk i ndjeja më dhe isha shtrirë për tokë. Më vonë erdhën dy policë që më kapën nga krahët, më ngritën dhe më morën pothuaj duke më zvarritur. Më kishin çuar te biruca.

– Ju lutem më sillni pak ujë! – thashë unë para se të më futnin brenda.

Ndërsa po më bënin kontrollin, një polic më kishte sjellë ujë. Kishte në dorë një kavanoz me pak ujë dhe të përlyer me gjak.

– Pije! – më bërtiti dhe më dha kavanozin.

Pa dashje shikova edhe këmishën time ku gjaku i rrjedhur nga koka kishte lënë një vragë me gjak të tharë. Një polic më kishte goditur në kokë me trupin metalik të pistoletës së tij por, askush nuk shqetësohej për plagën në kokën time dhe për gjakun që më rridhte. Nuk e pija dot ujin, megjithëse kisha etje të padurueshme.

– Pije! – më bërtiti përsëri polici por, më shpëtoi një shqelm i fortë nga prapa.

Një polic më kishte goditur dhe isha shtrirë përtokë, më kishte shpëtuar nga duart dhe ishte derdhur në çimento, kavanozi i mbushur me ujë të përzierë më gjak njeriu. Polici më vuri këmbën e tij në qafë, më mëshoi më gjithë forcën e tij kafshërore dhe përsëri bërtiti.

– Armik i poshtër. Do ta lëpish më llapë ujin që derdhe-.

Shpëtova vetëm kur më mbyllën në qeli. Mi kishin hequr prangat nga duart dhe më kishin hedhur mbi një batanije të pistë aq sa ishte bërë si lëkurë. Unë mundohesha t’i fërkoja duart njëra me tjetrën dhe kisha harruar të mendoja. Isha shtrirë mbi atë pisllëk të qelbur. Papritur u hap kapaku i dritares së vogël, që kishte dera e birucës.

– Çohu! Armik i poshtër, – më bërtiti polici matanë derës.

Kështu e nisa jetesën në birucë dhe pak nga pak, fillova të mësohem me këtë mënyrë të re. Më duket se u bëra shumë i kujdesshëm për çdo gjë dhe, përveç kohës që u kushtoja mendimeve për njerëzit e mi të dashur, mendoja edhe për problemet që më kishin sjellë deri këtu. Një ditë vura re te nevojtorja e birucave se, në dërrasat e vjetra të kasës së derës, sikur dukej një cep letre.

U mundova ta nxjerr por nuk e kapja dot. Më duhej një gjë e mprehtë, një majë thike, një gjilpërë ose… ndoshta edhe një ashkël e hollë. Më bëri aq shumë kurioz ai cepi i letrës sa disa herë harroja edhe hallet e mia duke menduar si mund ta nxirrja. Mundohesha të nxirrja një ashkël të hollë nga kasa e derës së birucës sime por nuk nxirrej me thonj.

Një ditë polici më dha një copë brisku nga ato të rrojës që të prisja thonjtë dhe munda të përgatis një ashkël të vogël me majë të mprehtë, para se polici të ma merrte atë copë brisku të ndryshkur.

Kush është Hysen Kica që u burgos, pasi tentoi arratisjen në ‘87-ën?

Hysen Kica ka lindur në vitin 1947, në një fshat pranë qytetit të Bulqizës. Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare në vendlindje, më pas kreu shkollën e mesme të përgjithshme në qytetin e Durrësit dhe arsimin e lartë Pedagogjik në Shkodër. Pas përfundimit të studimeve, emërohet si mësues i lëndës së matematikës në fshatrat e zonës së Bulqizës. Varfëria e thellë në fshat, padrejtësitë e sistemit dhe impresionet e krijuara për jetën që bëhej jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilën ai e ndiqte nëpërmjet televizioneve të huaja, e motivojnë të tentojë arratisjen për në Itali në vitin 1987. Së bashku me të vëllanë, provoi të kalonte nga kufiri i Shkodrës, por në pamundësi për të kaluar, në rrugën e kthimit e kapin forcat e policisë dhe e dërgojnë në hetuesi, po në qytetin e Shkodrës. Gjatë kontrollit pas arrestimit, i gjejnë disa ditarë dhe letra të cilat i shtojnë dhe akuzën “Agjitacion dhe propagandë”, duke e dënuar në përfundim me 14 vjet burg, përkatësisht: 6 vjet për akuzën “Agjitacion dhe propagandë” dhe 8 vjet për akuzën “Tentativë arratisje”. Hysen Kica kreu 3 vjet e 7 muaj heqje lirie në burgun Qafë Barit, deri sa u lirua me rënien e regjimit komunist në fundin e vitit 1990. Pas viteve ’90-të, krahas angazhimeve të tjera, Hyseni, i është përkushtuar pasionit të tij të hershëm, letërsisë dhe shkrimeve artistike, siç është shkrimi “Mbledhje komuniste”, i cili bazohet mbi një ngjarje të jetuar nga vetë autori. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: