Një lojë jo e bukur, një futboll pa shumë ide, gafa të pa besueshme, individualizëm në maksimum, në fund Shqipëria del duar bosh nga Izraeli duke i dhënë fund objektivit për të kapur kreun e grupit në Ligën e Kombeve. Kjo ishte një tjetër humbje që djeg shumë, jo vetëm për faktin se shpërdoruam një bonus shumë të madh për të synuar “Euro2024”, por tashmë duhet të nisim gjithçka nga e para.

Në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit, Edy Reja vendosi të ndryshojë skemë, diçka që prej vitesh kërkohej me zë të lartë nga opinioni sportiv, por as kjo lëvizje e italianit nuk kishte asnjë efekt, sërish bëjmë të njëjtat gabime, si në fazën sulmuese, ku Broja as nuk shërben e as nuk është i saktë në finalizim, ndërsa në mbrojtje jemi të prekshëm në çdo moment.

Gafa e Hysaj na penalizoi sërish, me Izraelin që e nisi pjesën e dytë me gol. Reja u përpoq të ndryshonte diçka, hedhja e Uzunit ishte e vetmja gjë e bukur, me “bomberin” beratas që realizoi në minutën e 88-të një gol spektakolar.

Në pamundësi për të dalë me pikë të plota, në shtesë, një tjetër gafë e pabesueshme, këtë herë nga Mihaj, rezultoi fatale me Izraelin që realizoi edhe golin e dytë duke nxjerr jashtë loje Shqipërinë.

Humbasim jo vetëm një shans të artë, por tashmë edhe vazo e dytë në shortin e fazës së grupeve në “Euro2024” duket thuajse i pamundur. Nuk ka asnjë vlerë as sfida e fundit në Ligën e Kombeve, ajo kundër Islandës, të martën në “Air Albania”, luhet thjesht për statistika.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb