Sa bukur dhe sa turp, o Zot

Nga Zija Çela

U tha se për herë të parë Brukseli bënte një samit jashtë territorit të Europës së Bashkuar. Sa bukur, o Zot, sa bukur! Por kjo ditë na erdhi me një paralele, që gjithashtu ndodhte për herë të parë në Tiranë. E shprehur qartë për vlerat e samitit dhe mikpritjen e personaliteteve të larta, opozita e bashkuar organizonte njëkohësisht një protestë politike kundër mënyrës së qeverisjes. Sado në dukje paradoksale, protesta ishte një shfaqje e pazakontë e europianizimit të opinionit tonë publik, pjekurisë për Të Drejtat. Ndaj gjeti miratim ndërkombëtar. Sa bukur, o Zot, sa bukur!

Po, fatlume dita, nëse nuk do të përlyehej. Sepse, kushedi përse, ne sikur na i vret sytë E Bukura dhe jemi mësuar ose ta dhjesim, ose ta vrasim.

U tha se pikërisht për transfertën territoriale, ky samit do të hyjë në Historinë Politike të Europës. E pra edhe Tirana. Sa mirë, o Zot, sa mirë!

Por nuk u tha se po atë ditë, një njollë e zezë, e pashlyeshme në përmbajtjen kriminale, hyri në Historinë Politike të Shqipërisë. Dhunohet fizikisht lideri i opozitës, lideri që ka qindramijëra ndjekës, protagonisti historik i zhvillimeve tridhjetë e dy vjeçare, mbajtës i funksioneve më të larta shtetërore, politikani më afatgjatë dhe më i moshuari tashmë. Sa turp, o Zot, sa turp! Dhe sa ogurzezë gjithashtu. Tronditje pati brenda dhe jashtë, por domethënia e plotë e këtij akti ende nuk është shkoqitur.

Kam qenë kritik qysh herët ndaj zotit Berisha në gazeta e televizione, sa herë nuk jam pajtuar me qëndrimet e tij. Në një rast dhune, kur u burgosën gazetarë të “Koha jonë”, më kujtohet si u shpreha në shtyp. Pasi i përmendja gazetarët emër për emër, shtoja menjëherë: “Edhe unë ndjehem me pranga në duar, përderisa….”

Por sot atë grusht mizor e ndjej në fytyrën time. Më dhëmb dhe e vuaj shpirtërisht, sepse gjithçka mizore është dhe rrëqethëse. E kështu do të shprehesha edhe po t’i ndodhte çdo pale, jo vetëm kryetarit të PD-së, jo vetëm kryetarit të PS-së, por edhe rangjeve të tjera, bie fjala, deputetëve Balla apo Alibeaj.

Sa për të tjerat, ato të ndërgjegjes njerëzore, shëëttt!… Në vende të çuditshme, ku rrihen pleqtë, çdo uratë është kthyer në baltë.

*  *  *

Gjatë rrugës së jetës, befas, njeriu mund të bjerë në ujë dhe të mbytet. Por të mbytesh nga balta që krijon vetë, është e pafalshme. Sepse, para se me të arritë te goja, e paralajmëron fundin që në hapat e parë.

O balta e Shqipërisë sonë mëkatare, baltë që mashtron për t’u dukur si mjaltë!…

Me ty, prej gjithë mbrapshtive të tua trishtuese, verem bëhem valë e valë. Pa ty, dreqi ta hajë, prapë më vjen shpirti me dalë.

Kuçkë, të dua, deri në vdekje të dua, por në djallë!…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: