Numri i rasteve ditore të identifikuar si të prekur nga COVID 19 po pëson rritje dita-ditës në vendin tonë. Kryeqyteti vijon të mbetet vatra e nxehtë e përhapjes së virusit, e kjo për vetë faktin e përqendrimit të lartë të popullatës.

Por sa zbatohen masat antiCovid në Tiranë? Pas një vëzhgimi nga kamera e Neës 24, konstatohet që në transportin publik, një pjesë e pasagjerëve, disa faturino e shoferë nuk e përdorin maskën. Po kështu ndodh edhe në tregjet e fruta- perimeve apo biznese të tjera. Ndërkohë në një pjesë të mirë të bareve apo restoranteve nuk zbatohet distancimi i parashikuar në protokoll.

Qytetarët tregojnë se i përdorin maskat, veçanërisht në ambientet e mbyllura, madje disa prej tyre pranojnë që dashur- padashur kanë neglizhuar zbatimin e masave anticovid.

Papërgjegjshmëria më e madhe lidhur me zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID 19 konstatohet tek të rinjtë, të cilët sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë përhapësit më të mëdhenj të virusit.

Ardhja e vjeshtës duket e frikshme për një pjesë të qytetarëve pasi mendojnë se rreziku nga koronavirusi do të rritet. Një ish paciente e prekur nga SARS-COV 2 thekson për të gjithë skeptikët se ky virus ekziston e madje edhe vret.

Adaptimi i masave anticovid duket jo pak i lehtë për qytetarët shqiptarë, të cilët ndodhen mes teorive konspirative për mos ekzistencën e virusit, lajmeve për të prekur e viktima dhe shpresës apo besimit se sidoqoftë të mos preken prej tij.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: