NGA: FATMIRA NIKOLLI
Unë nuk dua të qaj. Jam bërë e fortë për të sepse duhet t’i bëj të gjitha respektet. Kemi jetuar bashkë 55 vite- jemi rritur, pjekur e plakur së bashku”. Sadije Agolli është ulur në kolltukun ku zakonisht ulej shkrimtari në dhomën e ndenjës. Një grusht njeri, ajo sheh të bijën, Elonën, në sy dhe mbledh veten. I qëndron te koka arkëmortit të bashkëshortit që tanimë është bërë një mal i bardhë me lule. 85 vite la pas, derisa u shua duke lënë pas, gruan, dy fëmijë, nipër e mbesa që e qajnë dhe kujtime e vepra. Është ditënata e tij e fundit në shtëpinë e pallatit me kuba. “Jam e mpirë. E kam trupin të mpirë, i kam duart të mpira, e kam kokën të mpirë. Unë ende nuk e besoj dot”, thotë Sadija në të njëjtën dhomë ku pak kohë më parë, patëm biseduar, qeshur, me cigare në duar e gotat e rakisë në tryezë. Atëherë festonim 85-vjetorin e poetit e shkrimtarit, shihnim fotografi, i shtrëngonim duart e buta, ndërsa sot, të përpin heshtja e dhomës së drunjtë ku u shkruan “Shoku Zylo” a “Komisar Memo”. Shtëllungat e tymit të cigares së fundit me Dritëroin, enden në kujtimet e mbetura pezull, në një pasdite me shi të 3 shkurtit. Për fat të keq, asnjë nga familja nuk ish me të. “Mjekët e kishin vënë në qetësues dhe neve na kishin thënë ‘ikni në shtëpi’. Asnjë nga familja nuk qe aty. Kishim folur me një nga mjekët pak minuta më para e na tha ‘është njësoj’. Më pas, doli lajmi që iku. Filluan mesazhet e ngushëllimit, ne kështu e morëm vesh që e humbëm atë”, thonë familjarët.
Sadije agolii

“Ikëm dhe i thamë, ‘Dritëro, po ikim, do vijmë prapë’. ‘Mirë’, na tha. Këto qenë fjalët e fundit që dëgjuam prej tij”, tha Sadija për bashkëshortin, mbasi na ka treguar se mjekët i jepnin qetësues që të flinte e të mos lodhte trupin. Kur lajmi kishte dalë në media e mesazhet ngushëllonin familjen, “mjekja na tha ‘ejani se është rëndë’. Ikëm me nxitim por nuk e gjetëm të gjallë”, thotë e shoqja me pendesë, anipse asgjë ndryshe s’ka mundur të bëjë, duke shtuar se “së fundmi e pati lodhur edhe zemra ngaqë sforcohej për të marrë frymë, kishte aritmi”. Edhe ditët në reanimacion kishte humor. “I thoshte doktoreshës ‘police’, ngaqë ajo i fliste kur ai donte ta hiqte oksigjenin se e lodhte”.

KUJTIMET E FUNDIT
Shtëpia ka hapur dyert e mortit. Sadija, që çdo herë endej nëpër dhomë për t’i sjellë bashkëshortit letër a laps, cigare a ndonjë gotë, sot veçse u flet të gjithëve dhe thotë se do ta mbajë mend për mirë. Kadria, e motra e Kadaresë ka ardhur për ngushëllim dhe i thotë Sadijes se ka bërë gjithë ç’qe e mundur për të shoqin. “Dritëroi e pati lënë cigaren kohët e fundit. E kish të pamundur ta pinte si dikur. Megjithatë, ndonjë natë, unë ose djali e gjenim zgjuar këtu në sallon. Kish marrë ndonjë cigare nga tonat dhe e pinte në errësirë se nuk e zinte gjumi”.
Agolli epitafi
Ndërsa të gjithë kujtojnë mundimet e saja për shkrimtarin të cilit i pati kushtuar jetën në kuptimin e parë të fjalës, Sadija na tregon se pse Dritëroi nuk donte të shkonte në spital. “U bë më keq dhe i thamë ta çonim në spital. Nuk donte. E refuzonte me forcë. Më thosh se ‘oksigjenin ma vër ti në shtëpi, edhe e mat po ti në shtëpi. Zemrën ma kontrolloni në shtëpi. Nuk dua të shkoj në spital, dua të rri këtu’. Na thoshte ‘s’dua të iki në spital se nuk kthehem më i gjallë, do kthehem i vdekur në shtëpi. Ne mezi e bindëm që ta kishin mjekët në kontroll, sepse i kishte mushkëritë rreth 90% të dëmtuara. Donim të shfrytëzonim çdo mundësi për të”, thotë Sadija, që sot ka zënë vendin e tij. Në ditët në vijim ajo do merret prapë me dorëshkrimet që ai ka lënë pas, në copa letrash, në blloqe, në fletorka, me shkrimin e tij të pjerrët, që vetë ai i thoshte ‘shkrim pule’.

SHERRET E ËMBLA, RITET E SHENJTA
Dritëroi mbahet mend si një njeri i thjeshtë, e njëherësh si një njeri i urtë. Ai nuk para bëhej me nerva. “Rrallë e rrallë ndonjëherë që nevrikosej. Edhe ato herë që ndodhte, nuk e kishte me të keq. Më thoshte ‘maloke’ ngaqë jam nga Shkodra e i thosha ‘malok Kolonje’. Nuk fliste deri në fund, por na dëgjonte e na kuptonte”, thotë e shoqja. Ajo, kujton edhe natyrën tejet sociale të Dritëroit, i cili mundej t’u fliste të gjitha moshave në mënyrat e tyre. “Kohët e fundit dilnim shumë rrallë. E kur ktheheshim, uleshim në ndonjë kafe poshtë. Ai fliste me të gjithë. Nuk ishte mësuar të rrinte mbyllur, ishte mësuar të takonte njerëz.

Përballë trupit të pajetë, është varur në mur një pikturë e shumë e shumë viteve më parë. Sadija thotë se e ka bërë Lume Blloshmi, anipse duket sikur është bërë muajin e fundit, kur ai qe mpakur.
“A mërzitej kur e shanin?”, pyesim me gjysmë zë. “Jo, aspak. Nuk mërzitej kur e shanin. Lexonim ça thoshin, po i njihnim karakteret e tyre dhe nuk mërzitej. Çdo ditë dilnim e blinim gazetat, vinim e i lexonim, i dëgjonim titujt e faqeve të para. Ai shkruante ditën deri në darkë, unë çohesha në tre të natës e ia shkruaja në makinë shkrimi”. Sot, vendi i jep lamtumirën e fundit Dritëroit, ndërsa ai do të prehet në banesën e fundit në Tufinë. Një komision shtetëror është ngritur për homazhet në Pallatin e Kongreseve e ceremoninë mortore.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb