Armando Sadiku, sulmuesi i kombëtares shqiptare, në një konferencë për mediat para ndeshjes me Izraelin ka folur me detaje për situatën që po kalon ekipi kuqezi. Elbasanasi shprehet qartë se situata nuk është më e mira, por me një fitore të dielën gjithçka mund të ndryshojë.

Ai thekson se do të ishte i lumtur nëse De Biazi zgjedh të luaj me dy sulmuesi pasi partneriteti me Cikalleshin ka krijuar gjithmonë rezultat. Ndërsa për t’u veçuar ishte ajo që tha për De Biazin i cili sipas Sadikut pas ndeshjes së humbur kundër Luksemburgut e la vetëm ekipin në dhomat e zhveshjes.

Për mundësinë e të luajturit me dy sulmues

“Kemi provuar në disa ndeshje të luajmë bashkë me Sokolin dhe kemi shënuar në ato ndeshje, mbaj mend kundër Gjeorgjisë që ka shënuar Sokoli, edhe kundër Luksemburgut në vitin e kualuar kemi shënuar të dy.

Për mua është shumë mirë të kem një partner në sulm sepse ndahen forcat dhe çdo gjë bëhet më e lehtë, por këtë e vendos trajneri. Ne jemi një ekip i vogël, luajmë kundër ekipeve shumë të mëdhenj për fat të keq dhe duhet të jemi pak difensivë. Trajneri ka vendosur të luajmë me 1 sulmues dhe ne e respektojmë vendimin, megjithatë kënaqësia ime do ishte të ishim të dy.”

“Nuk e kam bërë akoma licencën për trajner, kur ta bej pasi të lë futbollin, atëherë do vendos unë. Për momentin trajner është De Biazi dhe vendos ai. Neve na takon të japim më të mirën sa herë të na thirret emri.”

Në stërvitje i fashuar në kokë

“Pësova një goditje me Kukelin kokë më kokë dhe u çava pak te balli. Mbajta dhe fashën që të mbyllet kjo plaga dhe kaloi. Ishalla s’më ngelet shenjë, por jam mirë tani.”

Për rezultatet e dobëta

“E thamë dhe më parë që na kanë rënë ekipe shumë të forta në grup. Mund të bënim më mirë por s’di çfarë të them. Në ndeshjen ndaj Spanjës aq ishin forcat tona, ata na mundën në çdo aspekt, e fituan me meritë dhe ishin më të fortë se ne.

Edhe me Italinë kishim shanset tona në fillim për të shënuar, por nuk ndodhi dhe ata na ndëshkuan me penallti. I vetmi peng është Izraeli që ne të gjithë e dimë si na e morën ndeshjen, me dy penallti dhe me dy kartonë të kuq për ne. Nuk na shkuan gjërat mirë, por s’ka vend për alarm sikur çfarë ka ndodhur.”

Për euforinë

“Ndoshta është dhe kjo. Ne u mblodhëm pas Luksemburgut të gjithë dhe folëm me njëri-tjetrin, i shprehem mendimet që kishim sepse s’mund ta pranojmë të na mundë një skuadër e vogël si Luksemburgu. Ne jemi ekip që kemi luajtur në Europian. E dimë që kemi kualitet, folëm dhe kjo ndoshta ishte thelbi i bisedës që ka pak eufori në grup.

Duhet të jemi më shumë agresivë për t’u kthyer te rezultatet pozitive. Kjo ndeshje me Izraelin është shumë e bukur për të bërë kthesën, për ta marrë sërish gjendjen në dorë. Na kanë mundur Spanja, Italia dhe Izraeli, ndërsa në miqësore kemi provuar lojtarë të rinj. Vetëm ndeshjen me Izraelin nuk duhet ta kishim humbur.”

Nëse humbim sërish me Izraelin, dështon sezoni?

“Nuk mund ta quaj që ndeshjen e parë ata na fituan, ata na i vodhën. Duhet të shkojmë aty të marrim tre piket dhe të fillojmë ecurinë pozitive, aty ku e lamë pas Europianit dhe ku e nisëm me Maqedoninë dhe Lihtenshtejnin.”

Mbrojtja e Izraelit e pakalueshme?

“Kush tha që janë të pakalueshëm? Ne kemi kaluar mbrojtës më të fortë në Europian. Izraelin e respektojmë, por nuk e kemi frikë. Do mundohemi t’iu bëjmë gola. Para 3 ditësh ata bënë miqësore dhe ishin duke humbur deri në minutat e fundit. I kemi studiuar gjatë këtyre ditëve dhe do shkojmë për t’iu shënuar sa më shumë, objektivi i vetëm janë tre pikët.”

De Biazi tha se skuadra duhet të gjejë motivimin brenda vetes

“Po të kthehemi mbrapa në kohë, ne kemi qënë një ekip i vogël, por pas Serbisë ku morëm dhe tre pikët, kombëtarja jonë ndryshoi, u bëmë më të ndjekur dhe më të fortë. Një gjë e caktuar ndryshon gjithë sezonin, siç ndodhi që patëm vetëm rezultate pozitive pas ndeshjes në Serbi.

Pas Luksemburgut trajneri na la vetëm, folëm me çunat dhe te gjithë ishim në një mendim që nuk është faji i trajnerit por problemi qëndron te ne. Të shkojmë në Izrael dhe të luajmë siç kemi luajtur më parë dhe çdo gjë kthehet si më parë, të gjithë do flasin që kombëtarja jonë u kthye. Duhet të luajmë si grup, si në ndeshjet e Europianit, si në kualifikueset e kaluara apo si me Maqedoninë.

Nëse në Izrael japim 100%, atëherë s’ka shans që të dalim pa pikë. Trajneri tha të vërteten që na takon neve të gjejmë forcat brenda vetes sepse trajneri ka qënë gjithnjë i njëjti, nuk ka lëshuar në ndonjë moment. Këtu para disa ditësh nuk bëmë mirë në stërvitje dhe na ka folur, të gjithë ulëm kokën dhe nuk thamë asgjë sepse kishte të drejtë për çdo gjë.”

E ardhmja personale

“Nuk e di akoma, e mbarova këtë sezon dhe jam i kënaqur. Kur shkova te Lugano ishim të parafundit, humbëm në javën e parë dhe shkuam të fundit, por më pas morëm rezultate pozitive dhe kapëm vendin e tretë duke u kualilfikuar në Ligën e Europës. Aty isha në huazim nga Zyrihu, me të cilin kam dhe një vit kontratë.
Ka shumë fjalë por asgjë konkrete. Të mbarojmë ndeshjen me kombëtaren pastaj të shohim nëse do vendos të rri te Lugano, të shkoj te Zyrihu apo në ndonjë ekip tjetër. Objektivi im është që të largohem nga Zvicra sepse u bënë 6 vjet aty, por ndoshta qëndroj akoma, nuk e di.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb