Në Izrael janë të bindur: Armando Sadiku do të transferohet te Makabi Haifa. Mediat izraelite kanë bërë me dije se skuadra e kampionatit vendas do të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare dhe se ditët në vijim do të jenë vendimtare për këtë transferim. “One.co.il” raporton se drejtuesit e Makabi Haifas janë bindur për shqiptarin, jo vetëm nga ndeshja e tij e zhvilluar në Izrael me Kombëtaren shqiptare, ku realizoi dopietë, por edhe nga vetë paraqitjet që ka bërë në Zvicër gjatë pjesës së dytë të sezonit me Luganon.

Në Izrael raportojnë se mes palëve është gjetur një akord paraprak për transferimin e Sadikut në kampionatin vendas. Sipas këtij burimi mediatik, Makabi Haifa ka prenotuar shqiptarin për një nga dy të huajt që do të transferojë gjatë merkatos. Gjithashtu, bëhet me dije se vlera e përafërt e kartonit të sulmuesit shqiptar do të ishte pak mbi 1 milion euro, ndërkohë që paga vjetore do të jetë rreth 800 mijë euro.

Megjithatë, i pyetur nga mediat zvicerane rreth kësaj teme, presidenti i Zyrihut, Ançilo Kanepa, ka ngritur supet. “Që Sadiku do të largohet nga Zyrihu, kjo është e qartë. Por nevojitet një ofertë konkrete, e cila deri tani nuk na ka ardhur”, theksoi ai, duke lënë të kuptohet se akoma nuk ka në dorë ofertën zyrtare që pret për futbollistin. Ndërkaq, vetë sulmuesi pritet të shfaqet në stërvitje sot me Zyrihun, për të filluar fazën përgatitore me klubin zviceran në mënyrë që të jetë i gatshëm për ekipin e ri, cilido qoftë ai./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: