Biznesmeni italian Francesco Becchetti u dënua sot nga Gjykata e Tiranës me 17 vite burg me akuzën se përmes kompanive të tij kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Becchetti fitoi më pak se një vit më parë një betejë ligjore ndaj Shqipërisë në gjykatën e arbitrazhit të Bankës Botërore ku vendi ynë detyrohet ta paguajë atë 110 milionë euro.

Në prill të vitit të kaluar gjykata dha vendim lidhur me dëmshpërblimin që Becchetti kërkoi për mbylljen e televizionit Agon Channel në vitin 2015. Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”. Ky dënim përfaqëson dhe vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.

Pas vendimit në prill 2019 autoritetet shqiptare reaguan duke kërkuar anullimin e vendimit të marrë. Në Gusht të vitit 2019 ICSID pranoi ankimimin duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të saj. Kërkesa për anullim është një formë e jashtëzakonshme rekursi e parashikuar në mbrojte të parimeve themelore juridike që lidhen më një proces.

Një palë mund të kërkojë anullimin e plotë ose të pjesshm të një vendimi duke u mbështetur së paku në një prej 5 rasteve të parashikuara nga vetë rregullat e ICSID-së: kur trupa gjykuese nuk është formuar në mënyrë korrekte; kur ajo ka tejkaluar hapur pushtetin e saj; kur është konstatuar rast korrupsioni nga një prej anëtarëve; kur është vënë re devijimi nga një prej rregullave bazë të procedurave dhe kur vendimi nuk ka mundur të dëshmojë motivet mbi të cilat është bazuar. Kërkesa e palës shqiptare, u bazua te shkelja e procedurave gjatë procesit të arbitrazhit, por Komisioni Ad Hoc i ngritur për shqyrtimin e rastit, nuk e ka gjetur të drejtë pretendimin e palës shqiptare, e cila do të duhet tanimë të paguajë dëmshpërblimin prej 110 milion eurosh.

Për t’u përfaqësuar në procesin e ankimimit, Avokatura e Shtetit shqiptar kishte përzgjedhur studion amerikane, Foley Hoag, me një eksperiencë në trajtimin e rasteve të tilla. Ndërsa përballë saj, sipërmarrësi italian Becchetti, përfaqësohej nga dy studio të mëdha ligjore, Debevoise & Plimpton, me seli në New York, dhe Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan, me seli në Paris dhe New York.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: