TIRANE – Pas prezantimit të Analizës Vjetore 2015 të policisë së kryeqytetit, e prezantuar nga drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri vendosi që mbledhja të vazhdonte me dyer të mbyllura dhe pa prezencën e kamerave apo të gazetarëve. Kjo pasi, ministri bëri kritika ndaj shefave të komisariateve të këtij qarku.

Përveç kritikave, ministri Tahiri përgëzoi edhe skuadrën “Shqiponja” për punën që efektivët kanë kryer përgjatë gjithë kësaj kohe, si dhe për arrestimet që ata kanë bërë. Burime konfidenciale të “Gazeta Shqiptare” bënë me dije se gjatë fjalës së tij, ministri ka kritikuar ashpër disa prej shefave të komisariateve në Tiranë, pasi sipas tij, nuk janë treguar korrektë në disa raste.

Konkretisht, një nga arsyetimet që Tahiri ka përmendur në lidhje me këtë rast ka qenë mos-hapja e telefonit nga ana e krerëve të komisariateve kundrejt qytetarëve apo edhe drejtuesve më të lartë se ata. Të pranishëm në sallën e mbledhjes ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, kreu i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, këshilltarë të ministrit Saimir Tahiri, shefat e 6 komisariateve në Tiranë, shefat e Krimeve e të Rendit, efektivë të Policisë së Shtetit, efektivë të skuadrës “Shqiponja” etj.

Sakaq, gjatë mbledhjes të së martës, ministri u ka kujtuar edhe një herë detyrat përkatëse cilitdo prej tyre, se janë në krye të komisariatit për të pasur një mirorganizim të të gjithë strukturës që ata kanë mbi vete, dhe se duhet të bëjnë një ndarje më të mirë të punës për efektivët e patrullimit.

“Puna e shefit të komisariatit nuk është vetëm kërkesa që ju duhet të bëni për rikonstruksionin apo për lyerjen e mureve të një komisariati përkatës. Secili prej jush duhet të përgjigjet deri në fund për detyrën që i është caktuar”, mësohet të ketë thënë ministri Saimir Tahiri gjatë fjalës së tij. Ndërkohë, burimet e sipërpërmendura pohuan për “GSH”, se mund të ketë edhe lëvizje të krerëve të komisariateve apo edhe të vartësve të tyre.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: