Deputeti Myslim Murrizi ka bërë një deklaratë të fortë në foltoren e Kuvendit, teksa ka komentuar procesin ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir tahiri, për të cilin pritet vendimi final i Gjykatës së Krimeve të Rënda në orën 16:00.

Murrizi ka deklaruar se ish-ministri Tahiri mund të publikojë ndonjë kasetë me filmime sot në orën 16:00, pikërisht në momentin kur gjykata do të japë vendimin ndaj tij.

“Të dashur kolegë të mazhorancës, mos e shihni si betejë mes jush dhe kolegut tuaj të ngushtë. Jam kundër kësaj beteje false që keni ju me njëri-tjetrin, me atë që zgjodhët vetë. Kampioni po shkon në gjykatë, nga ora 16:00 do të jepet vendimi. Mbase ka dhe ai ndojnë kasetë, ndonjë filmim në ndonjë hotel në jug të Shqipërisë për ju, për këta, për ata që ishin këtu dhe zbritën.

Nxitoni shpejt e votoni Kodin Penal, duhet të hyjë në fuqi sot në orën 17:00, se pas orës 16:00 do ju nxjerrë kasetat, videot nëpër ekrane, prandaj frenoni shpejt dhe ruani vete. Inshallah ju ka kapur bukur, aty ku ju ka filmuar”, tha Murrizi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për Saimir Tahirin, por duke qenë se është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar atij i zbritet 1/3 e dënimit, duke e çuar në 8 vite.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb