Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, mblodhi sot në një takim kryetarët e bashkive, prefektët dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile në mbarë vendin, për t’i kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e regjistrimit dhe saktësimit të adresave të banimit. Në nisje të një fushate ndërgjegjësimi për qytetarët, por edhe të një detyrimi ligjor për të vendosur një raport mes shtetit dhe qytetarit përmes adresës së saktë, Çuçi tregoi dy mënyrat se si mund të regjistrohet adresa.

“Është një proces i lehtë dhe i thjeshtë që kërkon fare pak kohë. Kudo ndodheni e në çdo kohë mund të aplikoni online nëpërmjet portalit “e-Albania” ose duke shkuar vetë në zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë ku banoni. Bashkitë duhet të kenë një rol proaktiv në këtë drejtim dhe t’i nxisin qytetarët të regjistrojnë adresën e banimit. Duhet t’i krijojnë të gjithë kushtet për finalizimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për të gjithë”, tha ministri Çuçi.

Regjistrimi dhe saktësimi i adresës iu jep akses qytetarëve në shumë shërbime publike tha ministri Çuçi, prandaj është e domosdoshme që qytetarët që s’kanë ende një adresë të deklaruar dhe të verifikuar të përfshihen në këtë proces.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të regjistrojnë një adresë të saktë banimi si detyrim karshi raportit që duhet të kenë me shtetin dhe si një parakusht i domosdoshëm për të përfituar shërbimet publike dhe për të shmangur çdo penalizim. Në finale të këtij procesi që do të vazhdojë përtej kësaj fushate ndërgjegjësimi, Regjistri Kombëtar i Adresave idealisht do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të ditur më në fund se kush banon ku”, tha ministri Çuçi.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître.

Fushata e ndërgjegjësimit për vetëdeklarimin e adresës mbështetet nga projekti “Bashki të Forta”, financuar nga zvicerianët.

Saktësimi i adresave sjell përfitime edhe për vetë bashkitë për zbatimin e politikave të ndryshme dhe ofrimin e shërbimeve publike. Aktualisht janë rreth 750 mijë familje që kanë një adresë të saktë sipas sistemit të unifikuar të adresave me të 8 elementët përbërës. Bashkitë me numrin më të ulët të adresave të sakta janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora. Por fenomeni është i përhapur gjerësisht edhe në bashkitë e tjera. Ministria e Brendshme, pushteti lokal dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces do të punojnë për të pasur një sistem të identifikueshëm dhe lehtësisht të referueshëm nga kushdo që do të orientohet në vendin tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: