Polemikat mes Mohamed Salah dhe Federatës Egjiptiane të Futbollit janë në kulmin e tyre pasi lojtari i Liverpool i akuzon se kanë përdorur imazhin e tij.

Së fundmi është përfolur edhe largimi i mëngjarashit nga kombëtarja, por kjo duket se nuk do të ndodhë, vetëm në rast se nuk plotësohen kërkesat e dërguara nga menaxheri i lojtarit në federatë.

Përveç të drejtës së imazhit, 26-vjeçari ka edhe disa kërkesa që kanë lidhje me marrëdhënien me tifozët dhe stafin e kombëtares. Një çështje kjo, siç ka shkruar “The Sun”, shumë e rëndësishme për Salah dhe menaxherin e tij. Lista e kërkesave parashikon:

– Federata duhet të ndalojë këdo që të shkojë në dhomën e tij të hotelit dhe të kërkojë fotografi/autografe.
– Salah duhet të jetë gjithmonë i shoqëruar nga truproja, që duhet të jenë gjatë gjithë kohës jashtë dhomës së tij të hotelit.
– Të gjitha telefonatat drejt dhomës së Slah duhet të bllokohen.
– Salah nuk duhet të vihet në dispozicion të federatës për publicitet, intervista, takim me tifozët, evenimente që kanë lidhje me sponsorë apo vizita zyrtare.
– Salah duhet të merret menjëherë në aeroport nga federata dhe të dërgohet në hotel në mënyrën më të qetë të mundshme, pa tërhequr vëmendjen.
– Asnjë vartës i federatës egjiptiane nuk duhet t’i kërkojë Salah fotografi dhe autografe.
– Imazhi i Salah nuk duhet të përdoret nga asnjë prej sponsorëve të federatës.

Pjesa më e madhe e këtyre kërkesave vjen nga ajo që ka ndodhur në Botëror, ku futbollisti është përfshirë, pa u lajmëruar, në situata që e kanë vënë në siklet. Dhe nëse këto kushte nuk do të plotësohen brenda 2 shtatorit, sipas “The Sun”, Salah do të ishte i gatshëm të kërkonte shkarkimin e të gjithë drejtuesve të federatës, por edhe të tërhiqej nga kombëtarja. Duke parë rëndësinë që ka Faraoni për gjithë Egjiptin, ka më shumë mundësi që të jenë ata të federatës që të bëjnë valixhet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb