Real Madrid dhe Liverpool do të takohen në Paris më 28 maj në finalen e Champions, katër vite pasi Los Blancos mposhtën Reds në Kiev, duke e fituar kompeticionin prestigjioz për herë të 13-të, një rekord.

Mohamed Salah tashmë e ka paralajmëruar Ancelottin se ndaj Real Madridit “kanë hesape për të larë” në kryeqytetin francez. Megjithatë, trajneri italian nuk është i shqetësuar. Kur u pyet për komentin e Salah, ai u përgjigj:

“Jam i lumtur që luaj edhe një finale. Ne do të duhet të përballemi me një ekip tjetër të madh, Liverpool. Në historinë time personale, jam përballur me Liverpool-in shumë herë. Më 1984 si lojtar, më 2005 e 2007 si trajner dhe tani përsëri. Kam jetuar në Liverpool për dy vite, gjithashtu. Për mua, kjo finale është si një derbi, sepse jam ende ‘evertonian”.

Ancelotti ishte në krye të “Goodison Park” midis dhjetorit 2019 dhe qershorit 2021, duke e lënë pastaj Evertonin për t’u kthyer në Madrid. Që atëherë, “Toffees” kanë rënë në klasifikim dhe tani janë në rrezik serioz për të zbritur në Championship, ngaqë mbajnë vendin e 18-të. Reali ndërkohë ka lulëzuar nën drejtimin e Ancelottit.

Pasi ka fituar La Liga-n dhe Superkupën e Spanjës këtë sezon, ka mundësinë të marrë një trofe të tretë, më i madhi nga të gjithë, kur të përballet me Liverpool-in në finalen e Ligës së Kampionëve, më 28 maj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb