“Më lejo të bëj një kërkesë të pazakontë ta dezinfektosh studion nga mashtrimet e një sharlatani”.

Kjo ishte kërkesa që ish-kryeministri Sali Berisha bëri në fillim të intervistës së tij në një lidhje direkte në emisionin “Opinion”.

Ai deklaroi se pohimi i Ministrit Arben Ahmetaj, se ndihma ekonomike e qeverisë gjatë krizës është 4% e GDP, është e pavërtetë.

“FMN ka rreshtuar të gjitha vendet dhe ndihmën që ka dhënë për ekonominë në këtë hartë që ky shpalli se ka dhënë 4% të GDP. FMN duke përfshirë këtu edhe fondin sovran, e përshin Shqipërinë në vendin me mbështetjen më të ulët, vetëm 1.3% të GDP. Shqipëria ka përqindjen më të ulët të gdp të kushtuar ekonomisë, Gjermania e ka dhënë 30%, Italia 20%, Serbia e ka 10%, Kroacia e ka 18 %. Shqipëria e ka gjithësej 1.3%.”, tha Berisha.

Pyetjes së cfarë gjëje të mirë mund të përmendë ai nga masat e qeverisë Berisha iu përgjigj:

“Ka bërë aq të zeza sa që duhet të rrëmosh me buldozer për të nxjerrë ndonjë gjë pozitive. Unë nuk di të them edhe nuk mohoj. Mund të vecoj qëndrimin ndaj masave të COVID dhe ndaj ekonomisë. Ndaj COVID është i bazuar në mashtrimin falsifikimin”.

Ish-kryeministri Sali Berisha thotë se pas vendimit për heqjen e taksave për jahtet qëndron përdorimi i tyre për trafik kokaine. I ftuar në “Opinion”, Berisha thekson se janë porositur tonelata me farë kanabisi për t’u mbjellë në të gjithë vendin.

Berisha: Janë porositura tonelata me farë kanabis. Janë përgatitur të gjitha trojet nga Dukagjini deri në Tepelenë për t’u mbjellë me kanabis. Është porositur fara. E kam informacionin e sigurt që po lihet toka e bukës pa u mbjellë për ta mbjellë kanabis.

Krimi është fitimtar i madh. A po kalohet nga skafo-republika e kanabisit e Saimir Tahirit. Kur e hoqën moratoriumin, njeriu i parë që bleu skaf ishte Saimir Tahiri.

Tani Edvini dhe Olsi po blejnë jahte dhe po kalohet tek republika e kokainës. Se jahtet janë për kokainë. Kur i shton biznesit të vogël një taksë prej 250 mijë lekësh, heq taksat për jahtet.

Në qoftë se duam të shtojmë katastrofën e biznesit dhe nuk duam të shohim biznese që falimentojnë si pulat nga kolera, duhet të japim rrogat dhe të mos shpunësohet asnjë njeri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: