Analisti Adri Nurellari komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet e fundit të aktualitet në vend, por edhe nismën rajonale “Open Balkan”.

Duke u ndalur te kjo e fundit, Nurellari kritikoi ashpër kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për të mos marrë pjesë, duke u shprehur se kjo nismë nuk e dëmton Kosovën, përkundrazi e bën atë më të njohur për vendet skeptike fakti që ulet në një tryezë me Serbinë.

Më tej, analisti u ndal te zhvillimet në vend, kryesisht te deklaratat e forta të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe vendimin e tij për të mos u tërhequr nga Parlamenti dhe politika, pas shpalljes “non grata” nga SHBA. Për analistin, ky është një veprim i gabuar dhe egoist nga ana e Berishës, që dëmton opozitën dhe forcon më tej qeverinë.

Pjesë nga intervista:
Si e shihni këtë nismë?
Më duket se po merr më tepër zhurmë, seç meriton. Është një agresivitet i panevojshëm. Bëhet fjalë për disa parime të të shkuarit drejt integrimit evropiane nëpërmjet një integrimi rajonal. Është një parim që ne e kemi përqafuar si model i tregtisë së lirë. Unë e shoh një lloj përdorimi argumentesh, që shpesh hidhen vetëm për inate personale. Këtu e kam fjalën qoftë për agresivitetin e z. Rama. Origjina e kësaj nisme është si përpjekje e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të shkundur procesin e integrimit në BE. Nuk është diçka e rrallë apo e re.

Pse Kosova nuk e përqafon këtë nismë?
Ka disa arsye, por nuk është Serbia. Kosova ‘de facto’ e ka një marrëdhënie të tregtisë së lirë me Serbinë, madje mallrat serbe futen lirshëm në Kosovë. Pra, si me mini-shengen apo “Open Balkan”, Kosova e ka një lidhje të tregtisë së lirë me Serbinë. Ndaj dhe më duket e paqenë pretendimi se futja në “Open Balkan” dëmton ekonomikisht Kosovën.

Albin Kurti propozoi që të hiqet dorë nga aspirata për integrimin në BE për hir të asaj që quhet “CEFTA”. Pra, ai thotë se nuk e do “Open Balkan”, por nga ana tjetër kërkon diçka tjetër që do të thotë të heqësh dorë nga integrimi evropian dhe propozon që edhe vendet e tjera të heqin dorë, për kapriçon e tij. Kosova ka marrëveshje bilaterale me të gjitha vende te rajonit. Shumica e parimeve janë të “CEFTA”, ku Kosova bën pjesë. Kosova është pjesëmarrëse e shumë nismave rajonale dhe është e barabartë në tryeza. Madje, përfshirja e saj është parë si e barabartë me vendet e tjera. Sepse duke qenë në tryeza me Serbinë, edhe vendet më skeptike e shohin si të barabartë. Vetëm në këtë tryezë nuk është Kosova, për shkak të një kryeministri të papërgjegjshëm.

Pse nuk ka thirrje për bashkëpunim edhe nga Serbia?
Nismat ndërkombëtare nisin në përgjithësi mes dy-tre shteteve dhe më pas bashkohen edhe të tjerë. Është e vërtetë që në takimin e parë në Novi Sad Kosova nuk mori pjesë, por nuk morën pjesë as vende të tjera. Kosova u ndje e lënduar, pse nuk ishte. Por në momentin që u sqaruan objektivat, u sqarua vizioni, u pa që nuk përplaseshin me nismat e tjerat, dhe Kosova pranoi që do të futej aty, sjellja e Kurtit shkel parimet thelbësore shtetërore. Është fyerje dhe poshtërsi ndaj aleatëve. Z. Kurti është në gabim shumë të madh. Marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri nuk duhet të kushtëzohen nga sjelljet e liderëve. Edhe gjatë pandemisë, Kurti mbylli kufirin me Shqipërinë dhe e hapi me Serbinë. Ama, hyrja në “Mini Shengen” apo “Open Balkan” është diçka që Kosova e ka marrë përsipër në Shtëpinë e Bardhë, kur nënshkruan marrëveshjen me Trump. Kjo është një sjellje shumë e ulët e z. Kurti, që fyen aleatët.

Deklaratat e forta të ish-kryeministri Sali Berisha, si i keni përcjellë?
Unë e kam shprehur që për të mirë të opozitës, këtë betejë duhet ta bënte i vetëm, jashtë Parlamentit. Në këto kushte, ai është një barrë për opozitën. Së pari, ne e dimë si votohen, se janë në listë fituese. Së dyti, opozita ka kërkuar të njëjtën gjë edhe për Tom Doshin apo raste të tjera. Opozita do të dobësohet dhe kreut të opozitës do t’i lidhen duart për të ngritur e mbajtur qëndrime të forta ndaj qeverisë, pikërisht se do të ketë aty ish-kryeministrin e shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Veprimi i Berishës për të mos u tërhequr nga Parlamenti është i papërgjegjshëm. Në politikë kur të jepet shansi të jesh kryeministër, duhet të jesh përherë mirënjohës. Berisha është më i privilegjuari në tranzicionin e Evropës, pasi iu dha shansi dy herë të ishte kryeministër. Më e pakta që duhet të bënte për votuesit dhe partinë, është që të mos e pengonte. Po tregohet super-egoist dhe aspak mirënjohës, sepse duke insistuar për të qëndruar aty, po dëmton opozitën.

Sa janë shanset që deri më 9 shtator të ketë një skenar të tërheqjes së z.Berisha?
Mesa duket jo. Shihet që ka një sjellje qëndrestare, kokëforte, të z. Berisha, e cila ka pasoja. Kjo tregon se ai nuk ka respekt, mirënjohje, përderisa është i gatshëm të dëmtojë aksionin opozitar. Kur them të tërhiqet, e kam fjalën për tërheqje nga politika, siç bëri Fatos Nano. T’iu jepet shansi të rinjve për të ardhur aty. Z. Berisha duhet të hapë rrugën, që të tjerë liderë të tregojnë veten. Nuk ka kuptim që ai të rri në Parlament. Z. Berisha kanë për ta sulmuar, nëpërkëmbur. Në sulmin e parë që t’i bëhet qeverisë, ata do ta kthejnë, duke u kapur me të. Kështu, ne do të kemi një qeveri edhe më të fortë.

A është e justifikuar heshtja e z. Basha?
Herët a vonë do duhet që ai të deklarohet. Më mirë është herët. Nuk e di çfarë po pret. Besoj se kur të vijë shtatori, do ta marrim vesh. Kam përshtypjen se po pret shtatorin, që të mbajë një qëndrim. Ai është në kushte shumë të vështira, mes disa zjarreve, por do duhet ta marrë këtë vendim, herët a vonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb