TIRANE– Deputeti i ri i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i zgjedhur në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 qershorit, thotë se figura të caktuara në këtë forcë politike kanë qenë të gatshëm për të bashkëpunuar me PS “për inat të vjehrrës”. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Salianji tha se po këta persona kanë kërkuar largimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, pa u numëruar ende votat zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Siç kanë qenë të gatshëm për të bashkëpunuar me PS “për inat të vjehrrës”, ashtu kanë qenë të gatshëm të kërkojnë kreun e PD pa mbaruar ende numërimi i votave. Fakti që ka njerëz që mendojnë ndryshe në PD do të thotë se kjo është shumë pozitive”, tha ai.

Deputeti demokrat tha se zhvillimi i zgjedhjeve të brendshme të PD më 22 korrik, është brenda afatit kohor, pasi mandati i kryetarit aktual përfundon në këtë datë.

Ai tha se ekzistojnë mundësitë për të realizuar një garë reale për zgjedhjet në PD.

“Zgjedhjet në PD në 2013 janë bërë në po të njëjtin afat kohor. PD i ka mundësitë dhe kapacitetet për të zhvilluar zgjedhje në kaq kohë. Dihej që do kishte zgjedhje, kjo nuk është surprizë. Mandati i kreut të PD mbaron më 22 korrik. nuk kemi pse t’i hyjmë një afati tjetër jashtëstatutor. Është normale që zgjedhjet të mbahen në 22 korrik. Madje për mua do ishte më mirë për mua të bëhen më përpara, në mënyrë që PD të niste takimet me strukturat në rrethe, për të bërë analizën dhe për të parë se ku çalonte puna.

Nuk ka si të jetë e logjikshme një kërkesë për largim të kryetarit, kur kryetari i kishte ngrirë funksionet dhe do bëheshin zgjedhje më 22 korrik.

Aty ku thonë se ishte faji i Bashës ndërkohë që ky i fundit ishte kandidat, do të thotë se qëllimet janë elektorale.

Do ta vlerësojnë demokratët me votë, nëse Basha duhet të jetë apo jo në krye të PD. Pa asnjë diskutim që ka garanci për këtë garë”, u shpreh Salianji.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb