Sekretari i Aksionit Qytetar, Salianji deklaroi sot se 80% e plehrave në vend nuk riciklohen, ndërsa kryeministri Edi Rama do t’i shumëfishojë.

Ashtu si me kanabisin, Salianji ka parë nga afër situatën tek Gjiri i Lalzit, nga ku ka bërë edhe denoncimin para një ‘mali’ me plehra të papërpunuara, të braktisura.

“Male të mëdha me mbetje, me plehra, që ndosin zonën dhe e bëjnë të pamundur jetën aty afër, gjenden kudo në Shqipëri. Këto male me plehra rriten cdo ditë, sepse nuk përpunohen, nuk riciklohen. E megjithatë, Edi Rama ka vendosur që këto grumbuj të rrezikshëm me mbetje, t’i shumëfishojë duke sjellur edhe nga Europa, gjoja për të mbajtur gjallë industrinë ricikluese. Ndërkohë, më shumë se 80 përqind e mbetjeve shqiptare nuk riciklohen”, deklaroi Salianji.

Ai vijoi se këto mbetje ndodhen shumë pranë një zone turistike dhe Tiranës por megjithatë të tjera do të importohen nga jashtë.

“Po sjellim sot vetëm një dëshmi se si malet me plehra kanë mbuluar Shqipërinë, se si plehrat që kryeministri i quan mall, që duhet t’i marrë nga jashtë për shkak se nuk ka Shqipëria, për të mbajtur industrinë riciklues, ndodhen në çdo pjesë të vendit. Këtu jemi në Bizë, vetëm 500 metra larg resortit turistik që do të ndërtohej nga Fadi Mitri i cili do të hapte 1200 vende të reja pune. Jemi vetëm 1 kilometër në vijë ajrore nga avioni i Guido Guidit i cili kishte ardhur për të transportuar drogë”, tha Salianji.

Sipas tij, droga dhe plehrat janë alternativa e Ramës për të mbuluar vendin. “Kjo është Shqipëria e cila nuk ka kapacitet dhe nuk investohet për të ndarë në burim dhe për të ricikluar plehrat e veta, por sipas kryeministri këto plehra janë para, të cilat sot hidhen rrugëve sot, para të cilat kthehen në kancerogjene për banorët e zonës dhe në dëmtuese të mëdha jo vetëm të imazhit të Shqipërisë por të jetës së qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të detyruar të bashkëjetojnë me këto male me plehra që ne do ‘ti sjellim rast pas rasti, sepse në fakt kanë mbuluar Shqipërinë. Plehrat janë mall, thotë kryeministri. Po pse atehere plehrat, pra paratë, qytetarët dhe shtetet e Bashkimit Europian do t’i sjellin në Shqipëri?! Në rast se janë para pse kompanitë ricikluese nuk investojnë dhe nuk i marrin plehrat për ti përpunuar në vendin e origjinës, aty ku duhet të përpunohen”, tha Salianji.

Ai theksoi se rrezikshmëria e këtyre mbetjeve do të jetë një katastrofë për vendin.
“Pse kryeministri dhe industritë ricikluese nuk investohen për të marrë këto male me plehra dhe për ti kthyer në para dhe vende pune për qytetarët shqiptarë?! Rrezikshmëria e mbetjeve dhe plehrave do të jenë një katastrofë e madhe për Shqipërinë dhe është një akt antikombetar”, u shpreh Ervin Salianji.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb