TIRANË

Kandidati për deputet i PD në Korçë Ervin Salianji është njohur ‘live’ në emisionin “Frontline” në Neës24 me emrin e patronazhistit të tij, personi që e ka në ngarkim dhe përcakton bindjet politike të qytetarëve, sipas të dhënave që u bënë publike ditët e fundit dhe që vendosën nën akuzë PS për përdorimin e të dhënave të qytetarëve.

E keni parë kush është patronazhisti juaj?
Jo, po as interes nuk kam. Por pa diskutim si çdo emër tjetër që janë detyruar që t’i vendosin personave në administratë publike, do ia ketë futur kot.

Oltjan Mandri, patronazhisti juaj. A janë të dhënat tuaja?
Po besoj që po. Së pari pavarësisht shakasë dhe trajtimit me humor, për situata të tilla, është një skandal përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve dhe pothuajse që të gjithë të dhënat ndodhen në shumë duar çka mund të përdoren për hakërrim të dhënash, për përdorim në banka apo vende të tjera. Është vepër penale që dënohet me së paku 3 vite burg. Duhet të nisë hetim se kush ka qenë burimi i të dhënave.

Duket që është institucion shtetëror. Ka të gjitha të dhënat personale që i ka e-albania, regjistri i gjendjes civile apo Ministria e Brendshme.

E keni bërë tamponin, keni shkaur në bankë, numrin e telefonit e keni të regjistruar në emrin tuaj? Janë disa institucione që kërkojnë këto të dhëna.
Ja pse bie kjo. Fakti që aty janë dhe emigrantët, do të thotë që është një e dhënë e integruar e marrë nga regjistri i gjendjes civile. Patronazhistët nuk i ka askush tjetër veç PS. Në çdo vend normal do ishte skandal i përmasave të mëdha dhe do çonte para përgjegjësisë penale të gjithë personat.
Me të dhënat që kemi, janë në çdo zyrë të PS, secili me kodin e vet për të kontrolluar të dhënat e çdo individi në Republikën e Shqipërisë. Ajo që e bën më të turpshme situatën, është trajtimi që i bën Rama dhe PS, që këtë e kam të sigurt, sikur kanë të bëjnë me një send, jo me njerëz.

Kjo bankë të dhënash a është një diktat për votën e 25 prillit?
As nuk e favorizon fare. Ia kanë futur siç kam parë që kanë cilësuar njerëz të PS dhe njerëz që janë në strukturat e PD. Jo vetëm që nuk e favorizon, por jep një disavantazh.

Edhe PD ka të dhënat e saj, si po funksionon?
Pa diskutim, por jo numrin e kartës së ID apo të dhëna personale. Lista e votuesve është publike. Mbi bazën e listave që janë publike PD punon për votuesit potencialë, njerëzit influentë, ata që duhet të takohen. Kjo është një punë që e bëjnë të gjitha partitë. Ne kemi 1 vit e gjysmë që e kemi nisur.

Edhe PD por edhe PS, mua personalisht kanë pasur telefonata, duke më adresuar dhe deputetin e zonës…
Të gjitha partitë politike bëjnë tentativa për të bindur votuesit për të shkuar për të votuar. Numrat e telefonit për personat publikë janë lehtësisht të gjindshëm.

Mjafton të trokasësh në çdo derë, siç ne shkojmë, strukturat e PD për të kontaktuar apo bërë të mundur të dhënat. Shqetësim është dalja e të dhënave personale që mund të përdoren apo abuzohen nga çdo person tjetër. Ndaj ka ligje të ashpra. Është një situatë e një grupi të strukturuar kriminal, ku kemi të bëjmë më disa seli, me disa zyra, me përdorimin nga një grup që ka një drejtim dhe një qëllim të caktuar duke shpërdoruar funksionin. E shoh edhe si një lloj cenimi të sigurisë kombëtare që të gjithë të dhënat që duhet të ketë shteti, disponohen në grupe whatsapp apo të rrjeteve sociale. Pasoja do të ndihen më vonë. Për PS nuk ka asnjë favor, ka disfavor.

Padia në SPAK sa besim keni kur dhe zoti Kraja figuronte si votues i sigurt i PS?
Ne presim që një prej institucioneve më të paguara në Republikën e Shqipërisë, më profesionale, më të investuar dhe ndërkombëtarisht të bëjë detyrën e ngarkuar dhe të ngrihet në nivelet e pritshmërive minimale që kanë qytetarët shqiptarë për të gjithë pjesën e ngrehinës së re të sistemit të drejtësisë.

Unë pres për shumë raste të krimeve elektorale që të ketë rezultate konkrete. Ne jemi këtu dhe do ta monitorojmë. Nuk e paragjykojmë, do ta pasgjykojmë. Nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar personazhet që e kanë nxjerrë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb