TIRANË

“Nuk shoh një dalje jashtë kompetencave kushtetuese të Presidentit të Republikës. Qeveria ka zgjedhur të bëjë një luftë për interesa propagandistike dhe presidenti po i qëndron detyrimit kushtetues për të mos e rrëzuar institucionin, për ta bërë njëngjyrëshe siç janë institucionet e tjera”. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News24, duke iu referuar përplasjes së Presidentit me maxhorancën dhe nëse kjo e dëmton apo e favorizon PD dhe opozitën.

Ai tha se qëndrimi dhe përplasja është parimore. “Ka pasur një debat për kthimin në Kuvend të Kodit. I takon të tentojë të shtyjë për një marrëveshje konsensuale dhe kushtetuese. Zgjedhjet për 25 prillin janë të qarta, është Lulzim Basha kreu i opozitës dhe kandidat për kryeministër. Nuk shoh asnjë luftë dualizmi por një qëndrim të presidentit për të mbrojtur kushtetutën”, deklaroi Salianji.

Lidhur me ndarjen në disa pika me LSI, ish-deputeti i PD-së tha se ka diferenca ideologjike por në fund ka qëndrime të përbashkëta.

“Pa diskutim se ndryshe do ishim një parti. Dhe brenda një partie ka pluralizëm mendimesh. Ka diferenca ideologjike, që në qëndrime mund të jenë të ndryshme por në fund dilet me qëndrime të përbashkëta. Nuk shoh një qëndrim të opozitës që të ketë qenë ndryshe nga PD dhe ndryshe nga LSI apo partitë e tjera të koalicionit. Ka një qëndrim të unifikuar”, deklaroi ish-deputeti i PD.

Sipas tij, PD ka marrë një mbështetje më të madhe nga faktori ndërkombëtar dhe nga qytetarët pas lënies së mandateve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 2019.

“Pa diskutim që nëse e marrim dhe kemi përllogaritjen gjithë çfarë solli lënia e mandateve, nxori një qeveri të pa interesuar për respektimin e institucioneve. Arbitrariteti i vendimeve të Kuvendit ishte i paimagjinueshëm dhe propaganda që jemi të gjithë njësoj ishte në nivelet më të larta. Ne luftojmë për interesin publik dhe pas lënies së mandateve PD ka marrë mbështetje më të madhe nga faktori ndërkombëtar. Në kurs përplasjeje është Edi Rama me ndërkombëtarët.

Çdo gabim apo qëndrim mund të ishte bërë më mirë diskutohet dhe rregullohet. Por qëndrimet e forta të PD me kohën po tregojnë se kanë qenë të duhurat. Opozita është e fituar”, theksoi Salianji.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb