Në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24, ishte i ftuar sot ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji i cili bëri një rezyme të situatës së rendit dhe sigurisë në vend.

Sipas tij, situata mund të quhet pa frikë alarmante dhe kambanat e alarmit bien për qeverinë e ministrin aktual të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Siguria në vend dhe rendi publik janë në nivelet më të ulëta, mund të themi pa frikë alarmante nisur që nga krimet ordinere të vjedhjeve deri tek krimi i strukturuar dhe i organizuar që po lulëzon. Pasi iu la terren për tu rritur këtyre grupeve ata zgjerohen më shumë, fitojnë terren dhe nisin rivalitetin mes tyre, siç ishte edhe ngjarja në afërsi të ‘Vasil Shantos’ që tregoi se krimi godet në çdo pjesë. Në situatën kur ishte pandemia edhe atëherë ndodhën vrasje, krime që vazhdojnë të sjellin krime si në rastin e Elbasanit, ndërkohë policia është e pafuqishme të veprojë pasi drejtuesit politikë janë të lidhur me kriminelët. Drejtorët e policisë, shefat e komisariateve dhe kryebashkiakët hanë e pinë me persona me rrezikshmëri të lartë publike. Gjatë pandemisë dolën shumë prej të dënuarve nga burgu dhe tani po kontrollojnë fijet e trakfikut. Brenda qyteteve ka banda lagjesh, duhet luftë e fortë që të goditen sa nuk është vonë”,- tha Salianji.

Ish-deputeti foli me ironi kur u pyet për rolin e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili siç tha është aneksuar tashmë edhe nga kryeministri Rama.

“Shpresoj që deri në fund të mandatit ta ketë kryer periudhën e ushtrisë. Erdhi si gjeneral shpëtimtar i Republikës por është si ushtari Zhvjek i Ramës. Policia e drejtuar prej tij gjatë gjithë kohës arreston të varfërit, ka çuar policinë të merret që nga pandemia, me ndërtimet pa leje, me muzikën me çdo gjë tjetër veçse me krimin jo.

Edhe ushtari Zhvjek kishte pritshmëri të mëdha, u soll si i lexuar dhe reformues por ai nuk i njeh ligjet, qytetarëve nuk iu intereson nëse ikën apo rri, ne po gjykojmë gjithë aktivitetin kriminal që zhvillohet nën hundën e tij dhe ai as nuk kupton gjë e as nuk reagon. Fakti që Rama e ka hequr si drejtues politik tregon se ai nuk e ka të sigurt nëse do të jetë apo jo ministër. Mund të ndryshohet edhe para ndryshimit të qeverisë, para se të vijmë ne në pushtet”,- shtoi ish-deputeti.

Në lidhje me operacionin “Los Biancos”, Salianji tha se Shqipëria nuk pati asnjë rol dhe se ishte sukses i Interpolit e policive të shteteve të tjera.

“falënderimi duhet të shkojë për Interpolin dhe policitë patnere. Aty policia shqiptare nuk ka asnjë rol. Nuk e di çfarë mbështetje jep ai se duket që jo vetëm rol nuk ka policia por as nuk kanë pasur dijeni për rastit. Ai është një superaksion i Interpolit që u arrestua një grup që xhironte deri në 350 mln euro në vit”,- vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: