Agjenti i autorit Salman Rushdie thotë se ai ka humbur tashmë shikimin nga njëri sy dhe lëvizjen e njërës dorës, ndërsa po kurohet pas sulmit nga një person që hipi në skenë gjatë aktiviteti letrar në muajin gusht në Nju Jork.

Agjenti i botimeve letrare Andrew Wylie i tha të shtunën gazetës në gjuhën spanjolle El Pais se zoti Rushdie pësoi tre plagë serioze në qafë dhe 15 plagë të tjera në kraharor dhe në trup, prej të cilave humbi shikimin nga njëri sy dhe mbeti i paralizuar nga njëra dorë.

Zoti Rushdie, tashmë në moshën 75 vjeçare, u fsheh për disa vite pasi Ajatollahu i Iranit, Ruhollah Khomeini lëshoi një fatva në vitin 1989, ku bëhet thirrje për vdekjen e tij pas publikimit të novelës “Vargjet satanike”, që shumë myslimanë e konsiderojnë si blasfemi. Gjatë dy dekadave të fundit, ai ka udhëtuar lirisht.

24-vjeçari Hadi Matar, nga Fairview i Nju Xhersit, është burgosur pasi nuk pranoi fajësinë për tentativën për vrasje dhe për goditjet gjatë sulmit të 12 gushtit ndaj zotit Rushdie. Zoti Matar mbahet në Institutin Chautauqua, i ndodhur në një zonë rurale 89 kilometra në jugperëndim të Buffalos, që njihet për leksionet që mbahen aty gjatë stinës së verës. Pas sulmit, zoti Rushdie u kurua në një spital në Pensilvani, ku u vendos për pak kohë edhe në respirator, që zoti Wylie e quajti “një sulm brutal” që i preu nervat e njërit krah.

Agjenti Wylie i tha gazetës se nuk mundet të thotë nëse zoti Rushdie vazhdon të kurohet në spital apo se ku ndodhet aktualisht.

“Ai do të jetojë… Kjo është e rëndësishme”, tha zoti Wylie. Sulmi pati formën e saj që zoti Rushdie dhe agjenti e kishin menduar si “rrezikun kryesor… një person i rastësishëm që shfaqet papritmas dhe sulmon”, i tha zoti Wylie gazetës El Pais.

“Nuk mund të mbrohesh prej kësaj pasi është krejtësisht e papritur dhe alogjike”, tha ai.  Zoti Wylie i tha gazetës se ishte si vrasja e anëtarit të grupit Beatles, John Lennon. Ai u qëllua për vdekje nga Mark David Chapman jashtë godinës së apartamentit të tij në Manhattan më 8 dhjetor 1980, pak orë pasi kishte dhënë një autograf për zotin Chapman.

Në një intervistë nga burgu për gazetën The New York Post, zoti Matar tha se nuk i pëlqente autori Rushdie dhe lavdëroi Ajatollahun Khomeini. Irani ka mohuar të ketë lidhje me sulmin./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: