Ministri i Brendshëm dhe njëherazi Zv.kryeministri i Italisë, Matteo Salvini shprehet se ka zhvilluar një telefonatë edhe me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka diskutuar se si mund ta ndihmojë me krizën në vend.

“Kam dëgjuar edhe presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, pasi të dielën Shqipëria rrezikon shumë, sepse është një përplasje që mund të shkojë në një përplasje civile, siç është parë edhe në javët e fundit. Janë duke u mbajtur zgjedhje vendore nga ana e kryeministrit, të cilat janë anuluar nga presidenti i Republikës. Janë tërhequr partitë e opozitës dhe në to merr pjesë vetëm Partia Socialiste që është në qeveri dhe jam duke kërkuar që të komunikoj me të gjitha palët për të evituar një përplasje sepse Shqipëria është partnere kulturore, ekonomike, komerciale me Italianë. Por jo vetëm, duhet të kujtojmë njerëzit që emigrojnë dhe këtu duhet që të kujtojmë skenat e viteve ’90 dhe nuk do doja që të ktheheshin, pasi kemi mjaft probleme dhe nuk do donim që të shkonim në fronte të tjera.”, – ka thënë Salvini në një video live nga zyra e tij, ku ka folur sërish edhe kundër politikave që Bashkimi Europian po ndjek për të parandaluar emigracionin, duke lënë të kuptohet se ka “përveshur mëngët” për ta zgjidhur vetë problemin.

“Emigracioni nuk mund të menaxhohet nga anijet e jashtëligjshme. Ne jemi të gatshëm të bllokojmë çdo lloj paligjshmërie. Kush bën një gabim, paguan. P.S. Evropa? Mungon, si gjithmonë”, – shkruan Salvini mbi përshkrimin e videos.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb