Presidenti i Grupit BALFIN, Samir Mane, ka qenë i pranishëm në qytetin e Korçës, ku u ndal në Universitetin “Fan S. Noli”. Me ftesë të këtij institucioni ai qëndroi për një bashkëbisedim të gjatë me studentët me temë “Nga student në sipërmarrës: rrugëtimi i ndërtimit të një biznesi të suksesshëm”.

Sipërmarrësi që ka krijuar kompani që sot janë të pranishme në 9 shtete të ndryshme të Evropës u prit nga rektori Dhimitri Bello dhe Dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Ledina Alolli, si dhe nga mjaft drejtues e pedagogë të tjerë të universitetit.

Mane iu përgjigj interesit të studentëve për çështje ekonomike dhe për drejtimin e bizneseve, duke folur mbi përvojën e tij personale si sipërmarrës. Nisur nga diskutimi plot gjallëri me studentët, Samir Mane i nxiti ata të mos heqin dorë nga përpjekjet për t’u bërë sipërmarrës, pasi sipas tij mundimi shpërblehet.

I pyetur se si arriti të bëhej imazhi i sipërmarrësit të suksesshëm në Shqipëri dhe më gjerë, babai i katër fëmijëve, u shpreh: “Emigrimi im i hershëm në Austri, kapja e mundësive në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, marrja përsipër e riskut, puna e vazhdueshme me orë të zgjatura, kërkesa për të arritur përherë standardet më të larta dhe ndërtimi i partneriteteve të mira në biznes, kanë qenë disa nga elementët më të rëndësishëm në këtë rrugëtim”.

Gjithashtu ai u pyet për karakteristikat që duhet të ketë një i ri që të punësohet në shoqëritë e Grupit BALFIN. “Aftësitë janë të lidhura e ndryshojnë me natyrën e pozicionit të punës. Por, tek të rinjtë ne vlerësojmë e inkurajojmë proaktivitetin, këmbënguljen, profesionalizmin dhe etikën e lartë. Por mungesa e eksperiencës nuk ka qenë asnjëherë barrierë, sepse shumë të rinj kanë nisur te ne punën e tyre të parë, pasi ne kemi strukturat e duhura për të ndërtuar kapacitete profesionale” – tha presidenti i BALFIN.

Ai u shpreh se energjia që i japin takime të tilla e bën të ndihet optimist për të ardhmen ekonomike dhe e bën atë t’i përkrahë gjithnjë e më shumë të rinjtë drejt realizimit të synimeve të tyre. Në përfundim të diskutimit ai u ndal për disa foto dhe biseda me studentët dhe drejtuesit e Universitetit.

Grupi BALFIN ka një fokus të veçantë tek të rinjtë. Me nismën e Presidentit të Grupit është ndërtuar programi B4Students i cili është i fokusuar te mbështetja e studentëve dhe institucioneve universitare të kapin majat më të larta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb