Qeveria pritet të vendosë ditë pushimi zyrtar 6 dhjetorin, ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor. Kështu ditën e martë, me datë 6 dhjetor administrata dhe shkollat pritet të jenë pushim. Burime zyrtare thonë se ky vendim do të merret për shkak të masave të sigurisë për ditën kur do të zhvillohet samiti, pasi në Tiranë do të mblidhen të gjithë liderët europianë.

Gjithashtu Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie për të garantuar mbarëvajtjen e samitit. Policia është duke përgatitur një plan masash të forta, niveli i të cilave duket se do të jetë i njëjtë me ato që janë ndërmarrë në kohën kur në Tiranë erdhi ish-sekretari amerikan i shtetit John Kerry apo Papa Françesku. Disa nga akset kryesore do të bllokohen, përfshirë unazën për kalimin e makinave, ndërsa në pika të ndryshme do të ketë kontrolle nga forcat e sigurisë.

Burimet policore thonë se për të garantuar mbarëvajtjen e samitit do të angazhohen më shumë se 1200 efektivë policie, që mes të tjerash do të shoqërojnë delegacionet nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” deri në qendër të kryeqytetit. Për çështjen e sigurisë, prej disa ditësh ndodhen në Tiranë ekipet e Brukselit, të cilat po koordinojnë punën me ekipet shqiptare. Ekipet e Brukselit po zhvillojnë trajnim me gardën dhe Policinë e Shtetit.

Pas mbërritjes së liderëve evropianë në Tiranë, përveç stafeve dhe personave të akredituar, do të jetë e pamundur të kalohet perimetri i sigurisë që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit “Air Albania”. Gjithçka pritet të nisë rreth orës 10 të mëngjesit të datës 6 dhjetor. Pritja e liderëve do të bëhet tek sheshi Italia dhe më pas ata do të drejtohen tek Stadiumi Air Albania, ku do të zhvillohet edhe mbledhja e samitit.

Mbledhja do të vijojë deri në orën 13:00 për drekën, ndërsa rreth orës 15:00 pritet të mbahet konferenca e përbashkët mes kryeministrit Rama, kryetares së KE, Ursula Von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian Charles Michele. Konferenca të vecanta shtypi mund të ketë edhe nga liderë të tjerë evropianë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb