Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bisedoi të martën me zv/presidentin amerikan J.D. Vance, me të cilin u takua në Paris, ku mori pjesë në punimet e Samitit Botëror për Inteligjencën Artificiale, e ftuar nga homologu i saj, Emmanuel Macron.
Sipas zyrës për mediat të Presidencës, presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për aleancën e Kosovës me SHBA-në, “duke konfirmuar përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”.
Më herët gjatë këtij muaji, Osmani ka zhvilluar një mori takimesh me zyrtarë amerikanë dhe kongresistë në Uashington.
Presidentja e Kosovës ka deklaruar më herët se, me administratën e re amerikane të presidentit Donald Trump, Kosova synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes e të investimeve strategjike.