Këtë të hënë është duke u mbajtur Samiti i krerëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

Samiti, është duke u zhvilluar në Bruksel, në selinë e Parlamentit Evropian. Gazetari Ergys Gjençaj, raporton për “BalkanWeb”, se në samit ka marrë pjesë dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Gjithashtu gazetari, ka mundur të zbardhë fjalën e kryeparlamentarit shqiptar, para homologëve të tij ballkanas.

I nderuar zoti Mcallister,
Të nderuar kolegë,

Ju falenderoj për organizimin e këtij takimi, i cili dëshmon se integrimi europian i vendeve të rajonit tonë ka qenë dhe mbetet, jo vetëm në krye të axhendës së parlamenteve tona, por edhe në krye të axhendës së Parlamentit Europian.

Ne vijmë në samitin e dytë, rreth një vit e gjysëm pas samitit të parë. Gjatë kësaj kohe, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, merituan dhe morën vendimin e Këshillit Europian për celjen e negociatave.

Por për arsye që nuk varen prej nesh, nuk kemi marrë ende datën e mbajtjes së Tryezës së së Parë Ndërqeveritare.

Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dëshiroj të falenderoj Presidencën Kroate, Gjermane dhe Portugeze të BE-së, të cilat e mbajtën përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në krye të prioriteteve të tyre.

Por nuk mund të mos shpreh keqardhjen që shpejtësia e integrimit po ngadalësohet për shkaqe që nuk kanë lidhje me ne, por me zgjimin e pasioneve apo inercive të tjera të së kaluarës në Ballkan.
Kuvendi, Qeveria dhe institucionet shqiptare kanë zbatuar me përpikmëri të gjitha detyrat që parashikohen në rekomandimet e Komisionit dhe Këshillit Europian, lidhur me Reformën në administratën publike, Reformën në drejtësi, Luftën kundër korrupsionit, Luftën kundër krimit të organizuar dhe rritjen e shkallës së zbatimit të të Drejtave të njeriut.

Ne kryem në kohë reformën zgjedhore, me konsensusin e opozitës parlamentare dhe përfshirjen e opozitës joparlamentare. Kjo reformë i parapriu zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat u zhvilluan të qeta dhe me standarte të larta europiane. Zgjedhjet janë vlerësuar mjaft pozitivisht nga BE, Shtetet e Bashkuara dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila në këto zgjedhje kishte vëzhguesit e saj.
Kuvendi i Shqipërisë mbështet, ndjek dhe ka plotësuar të gjitha detyrimet e veta për avancimin e reformës në drejtësi, zbatimit të procesit të vettingut dhe ndërtimit të organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Vendosmëria e Kuvendit ka detyruar edhe institucionet e tjera, sidomos ato të sistemit të drejtësisë, të shpejtojnë ritmet e reformës.
Përveç kësaj, Kuvendi ka realizuar edhe detyrimet e drejtpërdrejta të procesit të integrimit.

Gjatë legjislaturave të fundit, por në mënyrë të veçantë gjatë kësaj legjislature, e cila nisi në shtator 2017 dhe përfundon në shtator 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka forcuar më tej rolin e tij në procesin e integrimit europian, në koherencë me praktikat më të mira të parlamenteve europiane.

Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi 45 ligje me përafrim ose rreth 27 përqind të 167 akteve ligjore me përafrim, të miratuara nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit MSA-së, në prill 2009.

Gjatë vitit 2020, Kuvendi miratoi për herë të parë Planin e Zhvillimit Strategjik, i cili përcakton prioritetet e zhvillimit të Kuvendit për periudhën 2020-2025, në krye të të cilave qëndron forcimi i rolit të Kuvendit në procesin e integrimit europian.

Në 2019 Kuvendi i Shqipërisë përfshiu në Rregulloren e tij detyrime shtesë lidhur me përafrimin e legjislacionit dhe kontrollin parlamentar, që burojnë nga standartet e integrimit europian, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një nga rekomandimet e dhëna për Kuvendin në Raportet e KE-së për Shqipërinë për vitet 2016, 2018 dhe 2019.
Manuali “Mbi sistemin e kontrollit të përputhshmërisë së legjislacionit shqiptar me standartet e BE-së, në nivel parlamentar”, i miratuar më 2018, lehtëson procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standartet e BE-së, nëpërmjet udhëzimeve e rekomandimeve të detajuara për deputetët dhe shërbimet e Kuvendit në kryerjen e detyrave të tyre lidhur me procesin e përafrimit.

Gjatë kësaj legjislature, roli kontrollues i Kuvendit në çështjet e integrimit europian është forcuar më tej, përmes përdorimit më të shpeshtë dhe më cilësor të instrumenteve të kontrollit parlamentar. Komisioni për Integrimin Europian dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian kanë luajtur një rol kyç për monitorimin e reformave të kërkuara dhe plotësimin e rekomandimeve në kuadër të procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Gjatë kësaj legjislature, Kuvendi ka miratuar 5 rezoluta në mbështetje të procesit të integrimit europian të Shqipërisë si dhe të hapjes së negociatave.

Kuvendi ka fuqizuar bashkëpunimin me shoqërinë civile, akademinë, komunitetet e biznesit si dhe grupet e tjera të interesit lidhur me procesin e integrimit europian dhe ka nxitur edhe rritjen e kontributit të tyre në arritjen e standarteve të integrimit.

Pas publikimit të Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë, Kuvendi ka hartuar e miratuar çdo vit Planin e tij të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të KE-së për Shqipërinë, të cilat lidhen me: Forcimin e funksionit ligjvënës; Fuqizimin e rolit mbikëqyrës; Përmirësimin e etikës parlamentare; Forcimin e transparencës; dhe Forcimin e kapaciteteve administrative të Kuvendit.

Unë, ashtu si edhe kolegët kryeparlamentarë në këtë sallë, e kemi të qartë se vendet tona nuk kanë arritur përsosmërinë. Por arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit janë të dukshme dhe dëshiroj të përsëris edhe njëherë që tashmë përformanca jonë e meriton vendim-marrjen pozitive për mbajtjen e Tryezës Ndërqeveritare sa më shpejt.

Nuk ka më kuptim që vendet tona të paguajnë kosto që burojnë nga mëritë e vjetra të rajonit.

Ju faleminderit”, është shprehur Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb