Një numër grupesh të njohura konservatore mblidhen të enjten në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar se si duhen trajtuar raportimet në mediat sociale. Por gjigandët e medias sociale, Twitter dhe Facebook nuk marrin pjesë pasi nuk janë ftuar.

Për Samitin e Shtëpisë së Bardhë dhe për pjesëmarrësit në të janë dhënë pak hollësi, por konferenca vjen mes kritikave të shumta për këto kompani. Disa argumentojnë se kompanitë e mediave sociale po heshtin zërat konservatorë. Të tjerë thonë se nuk po bëjnë sa duhet për të mbrojtur përdoruesit nga dezinformatat dhe postimet fyese.

Një argument për të cilin bihet dakord është se firmat e teknologjisë janë të fuqishme dhe kontrollojnë kanale të rëndësishme të informacionit. Ka thirrje për një zbatim më të fuqishëm të ligjit anti-trust dhe për të parë nëse këto kompani duhet të ndahen.

Presidenti Donald Trump është i apasionuar i Twitter-it, duke e përdorur platformën si për të trumpetuar punën e administratës së tij ashtu edhe për të sulmuar kundërshtarët. “Shtëpia e Bardhë do të organizojë një samit shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm për Median Sociale sot,” shkroi ai në Twitter përpara ngjarjes. “A do të bëhesha President pa Median Sociale? Po (ndoshta)!”

Paragjykim ndaj zërave konservatorë?

Presidenti Donald Trump ka kritikuar gjithnjë e më shumë tre kompanitë e mëdha të mediave sociale – Facebook, Twitter dhe YouTube – për atë që ai thotë se është censurë dhe paragjykim ndaj zërave konservatorë. Të tre kompanitë kanë mohuar vënien në shënjestër të përdoruesve konservatorë kur zbatojnë standardet e tyre të komunitetit social.

Në maj, Shtëpia e Bardhë u kërkoi njerëzve të ndanin eksperiencat e tyre në një faqe elektronike.

“Në fillim të këtij viti Shtëpia e Bardhë filloi një nismë për të lejuar amerikanët, pa marrë parasysh pikëpamjet e tyre politike, të tregojnë se si janë prekur nga paragjykimet në internet. Pas marrjes së mijëra përgjigjeve, Presidenti dëshiron të angazhohet drejtpërdrejt me këta liderë dixhitalë në një diskutim për fuqinë e mediave sociale”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere në një deklaratë të martën pasdite.

Faqja elektronike tani është e mbyllur, por një mesazh u tregon vizitorëve se “platformat e mediave sociale duhet të avancojnë lirinë e fjalës. Megjithatë, shumë amerikanë kanë parë që llogaritë e tyre janë pezulluar, ndaluar apo raportuar për shkelje të paqarta të politikave të përdoruesve”. https://whitehouse.typeform.com/to/Jti9QH

Samiti është për “udhëheqësit dixhitalë” të interesuar për “një bisedë të fuqishme mbi mundësitë dhe sfidat e mjedisit të sotëm online”, tha Shtëpia e Bardhë kur njoftoi për konferencën.

Të ftuar, ekspertë dhe drejtues konservatorë

Ndërkohë që lista e pjesëmarrësve nuk është bërë publike, ndër të ftuarit janë Zëvendëskryetari i Partisë Republikane të Floridës, Christian Ziegler dhe anëtarë të grupeve konservatore si Fondacioni Heritage dhe Turning Point USA. Është e rëndësishme për njerëzit të mësojnë se si faqet e mediave sociale moderojnë përmbajtjen, tha Jillian York, drejtoreshë për lirinë ndërkombëtare të shprehjes në Fondacionin Elektronic Frontier, një organizatë dixhitale për liritë civile.

Kompanitë e mediave sociale “nuk po veprojnë si duhet” dhe po heqin fjalime që nuk duhet, tha ajo. Por as vlerësimi i administratës Trump për konservatorët nuk është i drejtë, shtoi ajo. “Rregulli duhet të jetë liria e shprehjes,” tha ajo. “Duhet të hiqen përmbajtje vetën për rrethana vërtet të rrezikshme.”

Clara Tsao, një bashkëpunëtore për kompaninë Mozilla tha se sipas ligjit amerikan, ofruesit e “shërbimeve interaktive kompjuterike” lejohen të përjashtojnë njerëzit nga komunitetet e tyre në internet, për të mbrojtur përmbajtjen dhe vendimet editoriale dhe për të ofruar standarde të mirësjelljes. “Është një problem i ndërlikuar”, thotë ajo. “Ka një keqkuptim rreth asaj se si duhet të bëhet moderimi i përmbajtjes”.

‘Izolimi’ i fjalës

Kompanitë e mediave sociale vazhdojnë të bëjnë ndryshime në shërbimet e tyre për të hequr llogaritë e rreme dhe në disa raste, për ta bërë më të vështirë të shihen postime që konsiderohen të pavërteta ose ofenduese. Këtë javë, Instagrami, i cili është pronë e Facebook-ut, njoftoi ndryshime për të goditur bulizmin. https://www.businessinsider.com/instagram-announces-restrict-mute-feature-ai-flag-offensive-comments-2019-7

Kohët e fundit, Reddit “pezulloi” një grup diskutimi në faqen e tij për shkak të një kërcënimi për dhunë. Përdoruesit shohin tani një paralajmërim përpara se të hyjnë në grup.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb