Samiti i Ohrit mblodhi bashkë liderët e Ballkanit, kryeministrin Edi Rama, homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, të cilët diskutuan mbi zbatimin e katër lirive të Bashkimit Europian, ku përfshihen lëvizja e mallrave, njerëzve, produkteve dhe shërbimeve.

Pak pas takimit, Tanjug ka arritur të zbardhë detaje nga takimi mes zyrtarëve, duke cituar presidentin Vuçiç, se tre liderët kanë rënë dakord me njëri-tjetrin për shumë gjëra.

“Kemi rënë dakord për gjëra shumë të rëndësishme. Do përmirësohet ndjeshëm mjedisi i investimeve. Jemi të vendosur të bëjmë më të mirën për qytetarët. Pas vendimeve, presim sulme nga palë të ndryshme”, theksoi Vuçiç, ndërsa shtoi se nuk ka frikë nga presionet.

Në fund të këtij takimi, liderët e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë arritur në disa konkluzione, që sipas tyre i vijnë në shërbim ekonomisë së rajonit, sa i takon projektit për Schengenin Ballkanik. Ndër pikat kyçe, është ajo që ka të bëjë me anëtarësimin në BE, si qëllim i Ballkanit Perëndimor.

KONKLUZIONE NGA TAKIMI
1.Objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian mbetet qëllim i Ballkanit Perëndimor, dhe asnjë alternativë tjetër për këtë synim nuk është e zbatueshme për rajonin.
2. Përderisa të gjithë ndajmë vlerat evropiane, kemi punë për të bërë drejt sjelljes së standardeve evropiane në shoqëritë tona respektive. Si përfundim, ne përsërisim përkushtimin tonë që të implementojmë të gjitha reformat e domosdoshme dhe të arrijmë gradualisht të kemi përafrim të plotë me këto standarde.
3. Ne konfirmojmë që procesi i pranimit është mjeti më i mirë transformues në dispozicion për të siguruar prosperitet dhe progres në shoqëritë tona, por po ashtu sigurues i një konvergjence më strukturore dhe efektive mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
4. Në të njëjtën kohë, ne theksojmë se bashkëpunimi rajonal, përfshirë integrimin ekonomik është pjesë integruese e të gjitha përpjekjeve tona për të siguruar progres, prosperitet ekonomik e luftimin e sfidave aktuale; duke kujtuar edhe rëndësinë e shtimit dhe lehtësimit të kontakteve mes njerëzve.
5. Kemi konfirmuar se këto përpjekje shkojnë dorë për dorë me ambiciet tona për anëtarësim në BE.
6. Kemi mirëpritur arritjet e bëra në fushën ekonomike rajonale përmes Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe punën që po bëhet aty, por edhe në iniciativat e rëndësishme rajonale, përfshirë RCC-në dhe Ceftan.
7. Kemi theksuar dhe mirëpritur rolin e Procesit të Berlinit si katalizator i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.
8. Prandaj, jemi pajtuar të përshpejtojmë integrimin rajonal përmes masave tashmë të vendosura në mënyrë që të arrijmë rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët tanë sa më shpejtë që të jetë e mundshme. Për më tepër, jemi të vendosur të sigurojmë se këto masa po implementohen në mirëbesim nga të gjithë ne, brenda strukturave aktuale (për shembull, MAP REA, Cefta, RCC etj).
9. Ne konfirmojmë që kontakti qytetar-qytetar është një hapësirë ku mund të kemi

Konferenca
Po ashtu në axhendë është përcaktuar që në orën 12:00 të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp mes tre përfaqësuesve të këtyre shteteve.

Në axhendën e samitit ishte parashikuar që pjesëmarrës të ishte dhe edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, dhe ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi. Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë në takim. Ai theksoi dje përmes një postimi në rrjetet sociale se Kosova nuk mund të marrë pjesë në një samit, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e saj.

Shefi i qeverisë shqiptare mbërriti dje pasdite në Maqedoninë e Veriut, ndërsa u takua me Aleksandër Vuçiç dhe Zoran Zaev. Takimi i parë mes tre liderëve u zhvillua në kryeqytetin e Serbisë pak ditë para se Këshilli i Evropës të jepte verdiktin për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku u fol edhe për krijimin e ‘Shengenit të Ballkanit’.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb