Vendet e Azisë Juglindore duhet të jenë të bashkuara përballë luftës tregtate të filluar nga Presidenti Donald Trump, tha të shtunën kryeministri i Malajzisë në hapje të punimeve të samitit rajonal që po mbahet në Bangkok të Tajlandës.

Kryeministri i Malajzisë Mahathir Mohamad vuri në shënjestër presidentin amerikan, duke thënë se disa vende “nuk mund të ndalojnë që ekonomia të zgjerohet dhe të bëhet shumëpalëshe”.

“Po shohim rritjen e populizmit në Evropë dhe në Amerikë. Flitet për kufizimin e tregtisë, luftërat tregtare dhe rritjen e taksave për importet. Kjo nuk do të zgjasë shumë, sepse do ta kuptojnë se po ta shkëpusin veten nga tregjet e reja, ata do të humbin shumë. Ata në të vërtetë nuk mund të ndalojnë tregtinë nga zgjerimi dhe shumëanshmëria me teknologjitë e reja në zbatim.”

“Të veprojmë njëlloj sikurse vepron zoti Trump. Një njeri jo shumë i mirë, por ai i bën këto gjëra dhe ne mund të mësojmë edhe nga njerëz që nuk janë shumë të mirë”, tha 94 vjeçari Mahathir.

Ai po i referohej veprimeve të administratës së Presidentit Trump për rritjen e tarifave ndaj importeve kineze me synimin për uljen e defiçitit tregtar amerikan.

Megjithatë, udhëheqësit e dhjetë shteteve të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore, shkurtimisht ASEAN, nuk treguan shenja për arritjen e një marrëveshje të planifikuar tregtare të mbështetur nga Kina dhe që mund të krijojë zonën më të madhe të tregtisë së lirë në botë.

Vendet e Azisë Juglindore, të varura nga eksportet dhe të prekura nga lufta tregtare po përballen me një rritje ekonomike që pritet të ngadalësohet në nivelin më të ulët në pesë vite. Ato po ashtu janë të shqetësuara rreth shtimit të ndikimit kinez në rajonin me një popullatë 620 milionëshe, që është më pak se gjysma e popullsisë së Kinës.

Lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me zhvillimet në Azinë Juglindore, grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se nuk presin që vendet e ASEAN-it të bëjmë shumë për të trajtuar probleme të tilla si refugjatët Rohingya apo autoritarizmin në rritje në disa vende anëtare.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb