PRISHTINË- Kryeministri Isa Mustafa foli të premten në mbledhjen e qeverisë për përfaqësimin e Kosovës në Samitin e Vjenës si dhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Mustafa bëri të ditur se Kosova është trajtuar dhe përfaqësuar denjësisht në Samitin e Vjenës. “Mund të them se shteti i Kosovës ishte pjesë e barabartë e diskutimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe, për të sotmen e Ballkanit Perëndimor dhe se Kosova do të jetë partner i denjë i projekteve që do të ofrojnë rajonin tonë me standardet evropiane”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës tha se në Samitin e Vjenës janë diskutuar çështjet e zhvillimit ekonomik, ato që kanë të bëjnë me rrjetin bazik të infrastrukturës, politikat për të rinjtë, çështjen e energjisë, çështjet e refugjatëve dhe proceset e integrimeve evropiane.

“Kosova do të përfitojë prej mbështetjes së Bashkimit Evropian, pasi Kosova ka dëshmuar dhe po dëshmon se është e përkushtuar të ndjek kursin e përmbushjes së kritereve të përafrimit me vlerat e Bashkimit Evropian. Duke kryer detyrat tona përmes reformave në sundimin e rendit dhe ligjit dhe duke i çuar përpara proceset e normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët si dhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, ne po krijojmë kushte për zhvillim ekonomik, për zhvillim demokratik dhe për integrim të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe me vendet e arenës euroatlantike”, shtoi ai.

“Ne jemi të vendosur që të punojmë për të zgjidhur të gjitha nyjat të cilat vendin tonë e kanë mbajtur të lidhur këto 16 vite të pasluftës, prandaj ne do të bëjmë zgjidhje për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, dhe do t’ua lëmë trashëgimi brezave të tjerë të Kosovës që të respektojnë të drejtat e secilit, që të vazhdojnë në ndërtimin e një vendi ku sundon ligji, dhe të një sistemi të vlerave demokratike. Prandaj, angazhohemi për të gjetur zgjidhje në përputhje me këto parime për secilin problem të brendshëm, por edhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, kryeministri Mustafa theksoi se janë arritur të përmbyllen marrëveshje që janë mjaft të rëndësishme, të cilat integrojnë fuqishëm serbët në institucionet dhe në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës, të cilat u mundësojnë institucioneve lokale dhe qendrore të ushtrojnë në mënyrë të papenguar përgjegjësitë e tyre në tërë territorin e vendit.

“Çdo zgjidhje e kemi bërë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të ligjeve të Kosovës. Zgjidhjet janë në interes të vendit dhe në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Në vazhdim na pret një punë e madhe në të gjitha këto aspekte, prandaj lypset që të kemi një angazhim të sinqertë dhe konstruktiv të secilit”, tha ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: