Pavarësisht deklaratave se dëshirojnë që situata e tensionuar në veri të Kosovës të qetësohet, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe homologu i saj serb Aleksandër Vuçiç nuk treguan asnjë shenjë tërheqjeje nga pozicionet e tyre.

Kështu e ka nisur artikullin e sotëm Reuters, sa i takon samitit të mbajtur në Moldavi.

Sipas Reuters, me të mbërritur në një samit, Aleksandër Vuçiç i Serbisë dhe Vjosa Osmani nuk u takuan me njëri tjetrin edhe ishin vetëm pak metra larg.

Të dy palët janë nën presionin ndërkombëtar për të zgjidhur krizën më të fundit.

Dhuna u ndez të hënën pasi autoritetet e Kosovës, të mbështetura nga njësitë speciale të policisë, mundësuan hyrjen e katër kryetarëve të komunave në veri të hynin në zyrat e tyre.

Kryetarët e komunave u zgjodhën ndërkohë që në votime morën pjesë vetëm 3.5% e qytetarëve, pasi serbët bojkotuan zgjedhjet lokale.

Në lidhje me ngjarjen, Osmani tha se Beogradi po përpiqej të destabilizonte Kosovën pasi nuk kishte arritur të pajtohej me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

“Të gjithë e kuptojmë se kërcënimi i vërtetë në fakt vjen nga mohimi i Serbisë për ekzistencën e një shteti sovran të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo akuzoi Vuçiçin për mbështetjen e bandave kriminale në veri të Kosovës, të cilat sipas saj ishin përgjegjëse për përleshjet që plagosën 30 trupa paqeruajtëse të NATO-s dhe 52 protestues serbë.

“Presidenti Vuçiç duhet të ndalojë së mbështeturi bandat kriminale në Kosovë. Kjo është ajo që ai duhet të bëjë nëse dëshiron vërtet paqe. Ai ende nuk e ka treguar këtë”, tha ajo.

Serbia e ka hedhur poshtë këtë akuzë.

Vuçiç ishte edhe më i fortë se Osmani në retorikën e tij.

Por ai tha se autoritetet e Kosovës duhet të tërheqin “kryetarët e supozuar” nga veriu dhe deklaroi se njësitë speciale të policisë së Kosovës ishin atje ilegalisht.

“Serbia do të bëjë më të mirën dhe maksimumin për të de-përshkallëzuar situatën, që do të thotë se ne do të përpiqemi t’i bindim serbët të përparojnë me qetësi. Ata janë shumë të vendosur”, tha ai.

TAKIMET E VEÇANTA
Osmani dhe Vuçiç u takuan veçmas me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian, një organ prej më shumë se 40 vendeve të themeluar vitin e kaluar.

Por nuk kishte asnjë shenjë se Vuçiç dhe Osmani do të takoheshin me njëri-tjetrin. Një deklaratë që mund të indikonte edhe një shpresë të vogël në lidhje me një takim të mundshëm nuk ka ardhur nga asnjë nga palët.

Osmani deklaroi se do të fliste me liderët evropianë që janë në favor të paqes, në favor të stabilitetit dhe në favor të sundimit të ligjit, duke përmendur Macron dhe Scholz, por jo Vuçiçin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb