TIRANË

Pas Samitit të tretë të minishengenit ballkanik, liderët e Serbisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut dolën në një konferencë të përbashkët, në Tiranë, ku zbuluan temat kryesore të diskutuara.

Të pyetur nga gazetarët, nëse kjo nismë po bëhet për t’i kthyer shpinën Bashkimit Evropian, krerët e vendeve të rajonit e mohuan, duke iu referuar faktit se Samiti është ndjekur dhe nga përfaqësues të BE dhe SHBA.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, deklaroi se pjesëmarrja e vendeve të rajonit në këtë dialog nuk krijon idenë e ndonjë bashkimi kundër BE. Sipas tij dhe kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, kjo lëvizje po bëhet për të arritur më shpejt standardet e Evropës dhe për t’u bërë pjesë e saj.

Gjukanoviç: Nuk mendoj se pjesëmarrja e të gjithëve në këtë dialog në vetvete përmban idenë e krijimit të ndonjë bashkimi, bashkimi ballkanik, për të zëvendësuar anëtarësinë tonë në BE. Ne dëshirojmë të jemi anëtarë të BE dhe kemi punuar fort për këtë, prandaj nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë drejtimin strategjik tani. Kohët e fundit, kemi deklaruar se jemi kundër çdo ideje për të ndryshuar rregullat e lojës tani, pasi janë përcaktuar e vendosur në Selanik në 2003, dhe më tej akoma më 2013, kur filluam bisedimet. Pra, Mali i Zi nuk do donte ta zëvendësonte këtë gjë, me ndonjë bashkim tjetër.

Zaev: Theksojmë se mbështetja e BE dhe SHBA për mua ndihmojnë për ta përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE. Proceset transformuese që do ta sjellin Evropën këtu, kjo mund të arrihet edhe përmes bashkëpunimit tonë. E kemi për detyrë të punojmë për qytetarët, për ekonomitë tona, me qëllim që të sjellim sa më shpejt standarde. Presim që vendet anëtare të BE ta njohin këtë. Vlerat evropiane janë ato që qytetarët tanë i presin dhe detyra jonë është t’ua ofrojmë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb