“Sanksionet janë në tavolinë dhe kanë për qëllim individët, liderët, por edhe kompanitë që ofrojnë mbështetje për ata që udhëheqin aktivitete anti-Dayton”, tha në një intervistë për BHRT, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në fund të vizitës së tij në Bosnje Hercegovinë, Escobar, bëri të ditur atë që pritet prej kohësh, sanksione ndaj zyrtarëve në vend. Eskobar tha pas vizitës në Banja Luka se ai nuk foli hapur për sanksionet, sepse ai nuk donte që njerëzit të aludonin.
“Nuk dua të flas se si do të sanksionohet Republika Srpska, sepse njerëzit në këtë rajon kanë vuajtur mjaft” – tha ai.

Ai e bëri të qartë se sanksionet kundër politikanëve janë një opsion realist.
“Këto sanksione zbatohen për individët dhe drejtuesit që duhet të jenë personalisht përgjegjës. Ne folëm për sanksionet dhe sanksionet janë në tryezë. Dhe jo vetëm sanksionet, ka mjete të tjera ekonomike që mund të zbatohen jo vetëm kundër liderëve që kryejnë aktivitete anti-Dayton, por edhe kundër atyre që i mbështesin, kundër kompanive që i ndihmojnë”, – njoftoi Escobar.

Më herët është folur për mundësitë e sanksioneve, sidomos për kompanitë e afërta me Milorad Dodik, gjegjësisht regjimit në Banja Luka.
Direktiva Ekzekutive 14033, e nënshkruar nga Presidenti amerikan Biden më 8 qershor të këtij viti, përcakton se sanksionet do të prekin ata që kundërshtojnë Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Ndërkohë Escobar foli dhe për “Open Balkan”. Ai tha se Ballkani Perëndimor është Europë dhe se mbështet nismën “Ballkan i Hapur” dhe gjithçka që bashkon rajonin ekonomikisht. Madje Escobar e quajti një shans për të gjitha vendet e Ballkanit.

“Partneriteti ynë me vendet e rajonit ka qenë shumë produktiv dhe kjo është ajo që mund të pres nga anëtarësimi i këtyre vendeve në Bashkimin Evropian. Gjithashtu dua t’u përcjell njerëzve në rajon se ne jemi një partner i fortë. Historia e vërtetë e Ballkanit është potenciali i jashtëzakonshëm ekonomik. Javët e fundit kemi folur për tregun e përbashkët rajonal të CEFTA-s, Procesin e Berlinit dhe Ballkanin e Hapur. Ballkani i integruar është një mundësi e madhe. Rritja në Evropën Qendrore do të thotë se burimet aktuale të gazit natyror nuk do të jenë të mjaftueshme për rajonin. Terminalet për gazin e lëngshëm po ndërtohen tashmë në Durrës, Aleksandropolis, Krk. Pastaj keni rrugët, hekurudhat që duhet të forcojnë kanalet e furnizimit që do të nxisin tregtinë në Ballkan me 50% në vitin e parë pas këtyre investimeve. Ne shohim mundësi të mëdha në energjinë e rinovueshme. Mali i Zi ka një plan të madh për bankingun rajonal, e-banking. Serbia ka një shans për industrinë e IT dhe industrinë e argëtimit… I gjithë rajoni ka një potencial të madh. Ka sektorë të tjerë si prodhimi i verës që mund të zhbllokohen nga integrimi ekonomik rajonal, integrimi më i madh në BE. Rritja e fqinjëve tuaj ekonomikë është e mahnitshme. Nga viti 2000 deri në vitin 2020, ekonomia në Serbi u rrit nga 7 miliardë në 50 miliardë. Në Mal të Zi ka një rritje të dyfishtë edhe në kohën e koronës. Të gjithë fqinjët tuaj kanë përvojë të rritjes dhe integrimit të madh, përveç Bosnjës dhe Hercegovinës. E shihni, turistët serbë shkojnë në Shqipëri, biznesmenët shqiptarë shkojnë në Serbi për vaksinime. Ekziston një dinamikë e madhe në këtë rajon që është shumë e rëndësishme. Ai është tashmë rajoni ekonomik me rritjen më të shpejtë në Evropë. Me autoritetet përgjegjëse, mund të jetë më mirë. Ky është mesazhi që dua t’u përcjell njerëzve. Ndërkohë, në vend që të flas për zhvillimet në shekullin e 21-të, unë jam këtu për të folur me politikanët për vitin 1995. Është koha për të ecur përpara”, tha Escobar.

Ai theksoi se mesazhi i fundit është se politikanët duhet të fokusohen në vizionin amerikan dhe rajonal të zhvillimit ekonomik.

“Ne mbështesim nismën e Ballkanit të Hapur. Kompanitë amerikane punësojnë mijëra njerëz dhe ndërtojnë objekte të reja. Duke përfshirë bisedimet për Bosnje dhe Hercegovinën, ne jemi vazhdimisht të bindur nga dy gjëra: një, se vizioni i Serbisë për Ballkanin e Hapur është i hapur për të gjithë. Ajo që ata duan është integrimi, jo shpërbërja. Serbia ka bërë përparim të madh ekonomik dhe politik në një mënyrë që ata nuk duan të minojnë përparimin e tyre.”

Mbështetja jonë është mbështetja për gjithçka që bashkon rajonin ekonomikisht, që zhbllokon potencialin ekonomik të njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Serbët, kroatët, shqiptarët, boshnjakët, ata kanë sukses kudo në botë, unë dua që ata të kenë sukses këtu”, deklaroi Escobar.

I pyetur se si e sheh faktin që ka një rezervë në BiH për nisma të tilla si Ballkani i Hapur, ai tha se nëse autoritetet e kuptojnë se ky është një shans dhe ata do të shkojnë në atë drejtim.
“Unë e kuptoj këtë. Po ndodh, pavarësisht nëse janë të përfshirë apo jo autoritetet. Njerëzit e biznesit, të rinjtë, ekonomitë po zhvillohen. Nëse autoritetet e kuptojnë se ky është një shans dhe ata do të shkojnë në atë drejtim. Ne e shohim si një shans dhe ne duam të sigurojmë që kjo të jetë efektive dhe një mjet jo për përfitim politik, por për të ngritur standardet ligjore rregullatore të rajonit në standardet evropiane. Pavarësisht nëse Evropa ju pranon në një afat të shkurtër ose jo, ju do të jeni gati”, tha Escobar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb