Bjellorusia ka thënë se do të zvogëlojë numrin e lejuar të diplomatëve dhe pjesës tjetër të stafit në Ambasadën amerikane në Minsk dhe do të ashpërsojë procedurat për viza për qytetarët amerikanë, si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane të vendosura ndaj këtij shteti, për shkak të shtypjes që i bën opozitës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Anatoly Glaz e ka bërë këtë njoftim më 3 qershor, pa ofruar detaje shtesë.

Glaz ka thënë se leja për Agjencinë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtare, për të punuar në këtë shtet, po ashtu është anuluar.

“Këto masa janë të shënjestruara, janë të dizajnuara për të dërguar mesazh të qartë për Shtetet e Bashkuara rreth kotësisë së presionit në marrëdhëniet me Bjellorusinë”, ka thënë ai.

Ky hap vjen pasi Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar nëntë ndërmarrje shtetërore bjelloruse, pas devijimit të detyruar të një aeroplani të kompanisë Ryanair më 23 maj, dhe arrestimit të gazetarit disident Raman Pratasevich.

/REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb