Duke qenë se është një nga shtetet  e pakta që nuk ka marrë sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së luftës në Ukrainë, Serbia është duke u përballur me një presion të shtuar.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian kanë “kërcënuar” Beogradin se nëse kërkon të ketë një të ardhme në bllok, duhet të marrë masa ndëshkuese ndaj Moskës.

Media serbe Danas, ka bërë një përmbledhje të emrave të zyrtarëve të cilët kanë bërë të tilla kërkesa ndaj Beogradit.

Analena Berbok, Ministre e Punëve të Jashtme të Gjermanisë

Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan situatën në Ukrainë në Luksemburg më 11 prill, si dhe pasojat e mundshme të agresionit rus në Ukrainë dhe Ballkanin Perëndimor.

“Dëshiroj t’i theksoj Serbisë, nëse dëshironi të bëheni anëtare e BE-së, atëherë është thelbësore në momente të tilla të mbështesni politikën e jashtme të BE-së dhe sanksionet e duhura”, tha ajo.

Frank-Walter Steinmeier, President i Gjermanisë

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier e bëri një kërkesë të tillë kur uroi presidentin serb Aleksandar Vuçiç për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të 11 prillit, duke thënë se Gjermania mbështet Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor si një partner të besueshëm, por se vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë do të jetë e rëndësishme për integrimin evropian.

“Përafrimi i politikës së jashtme të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në lidhje me vendimet në lidhje me Rusinë, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve, do të jetë thelbësore përveç reformave të sundimit të ligjit dhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Steinmeier.

Gordan Grlic Radman, Ministër i Jashtëm kroat

Në prag të takimit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së më 11 prill, ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman, i tha Serbisë se është koha që të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së për këtë çështje.

“Pas zgjedhjeve të fundit presim që Serbia të ndjekë një politikë të jashtme që është në përputhje me vlerat dhe parimet evropiane”, tha ai.

Peter Stano, zëdhënës i BE-së

Më 8 prill, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha edhe një herë se Serbia pritet të harmonizohet me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë ose të prezantojë masa të ngjashme.

“Brukseli është në kontakt të vazhdueshëm me Serbinë në kuadër të negociatave për anëtarësim, si dhe përmes kontakteve të ndryshme – nga ekspertët deri në nivelin më të lartë politik. Partnerët tanë serbë, por edhe të gjithë partnerët tanë janë shumë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është kjo për BE-në”, tha Stano.

Vladimir Bilçik, raportues në Parlamentin Europian për Serbinë

“Lajmi i mirë është se qeveria malazeze ka miratuar sanksione kundër Kremlinit. Shpresoj që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që janë kandidate për anëtarësim në BE të mund të ndjekin këtë shembull”, shkroi raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë Vladimir Bilçik në Twitter më 8 prill.

Roli i Bilçiçit në integrimin evropian të Serbisë është i rëndësishëm, sepse ai ndjek përparimin e shtetit në përpjekjet e tij për të qenë një ditë anëtar i bllokut.

Tanja Fajon, eurodeputete

Kryetarja e delegacionit të PE për marrëdhëniet me Serbinë Tanja Fajon tha më 1 mars se do ta shihnin harmonizimin e Serbisë me politikën e jashtme të BE-së si një sinjal të rëndësishëm dhe urgjent që Serbia mbështet parimet dhe vlerat e BE-së.

“Uniteti i komunitetit ndërkombëtar në kundërshtimin e agresionit të Putinit ndaj Ukrainës është thelbësor për çdo përpjekje të Kremlinit për të konsoliduar paqen dhe për të shmangur përhapjen e luftës”, thanë Fajon dhe Bilchik.

Josep Borell, Përfaqësues i BE për Siguri

“Në një kohë të agresioni ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus kundër Ukrainës, ne presim që Serbia, si vend kandidat, të respektojë qëndrimet e BE-së, përfshirë masat kufizuese”, tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb