Kompania globale farmaceutike Sanofi filloi fushatën e ndërgjegjësimit ndaj diabetit si përgjegjësi sociale e korporatës për të shenjuar ditën botërore të diabetit 14 Nëntor 2017 me mbështetjen e Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë.
Në takimin e ekspertëve, që u zhvillua në hotelin Rogner, morën pjesë ekspertë në fushën e diabetit, ku ndër të tjerë ishin: Prof. Dr. Agron Ylli, Drejtues i Departmentit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, Ass. Prof. Dr. Thanas Furreraj, Drejtuesi i Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë dhe kolegë të tyre endokrinologë nga shoqata si: Dr. Petrit Hoxhaj, Dr. Gerondi Husi, Dr. Marjeta Kermaj, Dr. Dashamir Gjergji, Dr. Matilda Kelmendi, Dr. Eduart Spahiu dhe Dr. Shefqet Deliallisi.

Në këtë takim mori pjesë edhe Znj. Christina Vasak, Ambasadorja Franceze në Shqipëri.
Profesor Ylli dhe kolegët e tij morën pjesë në këtë iniciativë duke bërë testin e sheqerit në gjak në mënyrë publike për të nxitur sa më shumë njerëz që të bëjnë check-up çdo vit. Për më tepër, fokusi i aktiviteteve nuk është vetëm parandalimi por edhe diagnostifikimi i hershëm i diabetit dhe si ta kontrollojmë atë.

“Të dhënat e Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF) tregojnë se mbi 240 mijë shqiptarë me moshë nga 20 në 79 vjeç vuajnë nga diabeti, dhe të paktën gjysma e tyre nuk janë ende të diagnostikuar. Kjo do të thotë 1 në 8 të rritur është me diabet, dhe ky numër rritet çdo vit. Shumë shqiptarë nuk kanë bërë asnjëherë analizën e sheqerit në gjak, megjithëse vazhdimisht inkurajohen ta bëjnë këtë. Unë besoj se shumë njerëz do të ndjekin shembullin tim, sepse zbulimi dhe trajtimi i hershëm i diabetit parandalon komplikacionet e rrezikshme për të cilat njihet kjo sëmundje”, thotë profesor Ylli.

Synimi i kësaj fushate është që me 14 Nëntor 2017, me rastin e Ditës Botërore të Diabetit, të ketë sa më shumë njerëz që të jetë e mundur që të bëjnë testin e sheqerit në gjak, pranë 2 Kullave Binjake në Tiranë. Kjo iniciativë është filluar nga kompania farmaceutike Sanofi Shqipëri me mbështetjen e Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë.
“Të kesh kontroll mbi diabetin i mundëson pacientët të kenë një jetë më të mirë. Është alarmuese sa shumë pacientë të diagnostifikuar me këtë sëmundje nuk i arrijnë nivelet e rekomanduara të sheqerit në gjak. Prandaj pacientët duhet të testojnë hemoglobinën e glikozuar të paktën dy herë në vit. Por janë endokrinologët ata që mund të përcaktojnë me saktësi se cili është mjekimi më i mirë dhe kur duhet implementuar, në mënyrë që të kontrollohet sëmundja dhe të parandalohen komplikacione të tjera,” shtoi Bledar Shorri, përfaqësues i kompanisë farmaceutike Sanofi.

Eventi filloi me një takim në nivel ekspertësh në të cilin u diskutua statusi aktual i menaxhimit të diabetit në Shqipëri, duke përfshirë programe edukimi që synojnë diagnostifikim të hershëm të diabetit, ndërhyrje në stilin e jetës, mjekim dhe shërbime të menaxhimit të diabetit si dhe terapi e diabetit e filluar në kohën e duhur. Ky event vazhdoi me testimin e glukozës, që u organizua sot pranë Kullave Binjake në Tiranë.

Ekspertët në takim ranë dakord që aksesi më i mirë ndaj mjekimit dhe shërbime të menaxhimit të diabetit si p.sh.: fisha për matjen e sheqerit do të mundësojnë pacientët të kontrollojnë më mirë sëmundjen e tyre.

Të dhëna globale për diabetin
Diabetes Mellitus ose Diabeti Tipi 2 është një nga sëmundjet më të vlerësuara sociale. Sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF) mbi 415 milion njerëz (1 në 11 njerëz në botë) jetojnë me diabet, por pothuajse gjysma e tyre janë ende të padiagnostikuar. Statistikat tregojnë se në 2015 çdo 6 sekonda diku në botë një person vdiste për shkak të diabetit.
Në rang botëror 12% e shpenzimeve botërore për shëndetin shkojnë për diabetin. Vlerësohet se 1 në 2 të rritur mbetet i padiagnostikuar. Vetëm në Europë janë diagnostikuar 59,8 milion njerëz me diabet.

Simptomat e para të diabetit*
Diagnostifikimi i hershëm parandalon komplikacione të mëtejshme dhe për këtë shkak është e rëndësishme të njihen simptomat e para të sëmundjes. Simptomat më të zakonshme janë urinim i shpeshtë dhe uri dhe etje e tepërt. Bazuar në simptomat e përgjithshme, ka disa simptoma specifike për tipet e ndryshme të diabetit. Me diabetin Tipi 2 shumë pacientë nuk kanë asnjë tregues për vite. Shumica e tyre janë mbipeshë, me shumicën e dhjamit të depozituar në zonën e stomakut. Simptomat mund të përfshijnë lodhje të vazhdueshme, infeksion në organet gjenitale dhe plagë që shërohen me vështirësi. Në të kundërt, Tipi 1 fillon befasisht. Shumë nga pacientët janë nën peshë ose me peshë normale. Simptomat e hershme përfshijnë humbje jo normale të peshës, lodhje e vazhdueshme, shikim i kufizuar, si dhe infeksione të lëkurës dhe organeve gjenitale.
*http://www.diabetesatlas.org/across-the-globe.html

Rreth Sanofi
Sanofi është i dedikuar të mbështesë njerëzit gjatë sfidave të tyre të shëndetit. Ne jemi një kompani globale biofarmaceutike të fokusuar në shëndetin e njerëzve. Ne parandalojmë sëmundjen me vaksina, sigurojmë mjekime inovative për të luftuar dhimbjen dhe për të lehtësuar vuajtjen. Ne qëndrojmë pranë atyre që vuajnë nga sëmundje të rralla dhe miliona të tjerëve që kanë sëmundje të gjata kronike.
Me më shumë se 100,000 punonjës në mbi 100 shtete, Sanofi po transformon inovacionin shkencor në zgjidhje të kujdesit shëndetësor në të gjithë globin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: